Francë: Zgjedhje dramatike presidenciale, me masa të shtuara sigurie

E publikuar: 23/04/2017 18:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Francë po mbahen zgjedhjet presidenciale, derisa janë shtuar masat e sigurisë.

Votimet e sotme në kuadër të rrethit të parë të zgjedhjeve tejet dramatike, mund të kenë ndikim të madh në situatën gjeopolitike në përgjithësi, përfshirë të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe raportet e perëndimit me Rusinë.

Më se 60 mijë vendvotime janë hapur në orën 8:00 të mëngjesit, ndërsa në orët e para të votimeve është shënuar dalje prej 28.54% e zgjedhësve, ka njoftuar Ministria e brendshme e Francës. Kjo përqindje është pak më e lartë se ajo që është regjistruar në të njëjtën kohë të zgjedhjeve në vitin 2012.

Zgjedhjet, që janë më të paparashikueshmet në votimet presidenciale në Francë për disa dekada, mbahen vetëm disa ditë pas vrasjes së një oficeri të policisë në Paris, për të cilin përgjegjësinë e kishte marrë grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS). Kjo gjë e ka vënë çështjen e terrorizmit dhe të sigurisë në ballë të garës zgjedhore, ku marrin pjesë gjithsej 11 kandidatë, por katër prej tyre konsiderohen favoritë.

Autoritetet thonë se në ditën e zgjedhjeve, në gjithë Francën, janë aktivizuar afro 50 mijë policë dhe 7 mijë ushtarë.

Në Francë ende është në fuqi gjendja emergjente pas një serie të sulmeve, nga të cilat prej vitit 2015 janë vrarë më se 230 vetë.

Sipas hulumtimeve të opinionit, kandidati i qendrës, Emmanuel Macron, dhe liderja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, janë favoritë në raundin e parë të zgjedhjeve, megjithëqë kandidati konservator, Francois Fillon, dhe politikani i së majtës ekstreme, Jean-Luc Melenchon, po ashtu, konsiderohet se kanë gjasë për tu kualifikuar në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më 7 maj.

Në një incident në ditën e zgjedhjeve, afro gjashtë demonstruese pa veshje të sipërme, nga grupi i aktivisteve feministe, Femen, janë arrestuar sot herët në mëngjes, afër një vendvotimi në Paris, ku kandidatja Le Pen, ishte nisur për të votuar.

Protestueset kërcyen para një makine duke bartur maska të politikanes franceze të së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, dhe presidentit amerikan, Donald Trump, por ishin larguar me të shpejtë nga policia. Pak pas këtij incidenti, Le Pen votoi.

Kandidati Emmanuel Macro votoi në qytetin bregdetar, Le Touquet, në pjesën veriore të Francës, së bashku me bashkëshorten e tij, Brigitte.

Vlerësohet se zgjedhësit e papërcaktuar e përbëjnë gati një të katërtën e votuesve. Rrjedhimisht, vëzhguesit politikë thonë se vrasja e policit para disa ditëve në Shamp-Elize, mund të jetë epërsi për kandidatët që shihen si më të ashpër në terrorizëm dhe siguri.

Pas këtij sulmi, Le Pen e portretizoi vetveten si kandidate e vetëm e aftë për ta mbrojtur vendin kundër ekstremistëve islamikë.

Liderja e Frontit Kombëtar, Marine Le Pen, 48 vjeçare, është kritikuar për shfrytëzim të sulmit për përfitime politike.

Fitorja eventuale e zonjës Le Pen, me politikën e saj kundër imigrimit dhe kundër Bashkimit Evropian, do ta shënonte vazhdimin e rritjes së ndjenjës izolacioniste në gjithë botën perëndimore, që e ndihmoi dërgimin e Donald Trumpit në presidencën amerikane dhe referendumin për dalje të Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Franca është anëtare kryesore e NATO-s dhe është shtyllë e unitetit të Bashkimit Evropian në përgjigje ndaj Rusisë për aneksimin e Krimesë së Ukrainës dhe për mbështetjen e Moskës për separatistët e armatosur në pjesën lindore të Ukrainës. Për këtë arsye, perëndimi ka imponuar sanksione kundër Rusisë.

Sikur zoti Trump, edhe Le Pen, në të kaluarën, ka folur me admirim për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe e ka mbështetur tërheqjen e sanksioneve kundër Rusisë për shkak të ndërhyrjes në Ukrainë.

Pas një vizite në Moskë gjatë muajit të kaluar, me ç’rast është takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, ajo e ka kritikuar atë që e ka quajtur “vizion militant” të Bashkimit Evropian.

Në shumë hulumtime të opinionit, Marine Le Pen plasohet në vendin e dytë, pas kandidatit Macron në raundin e parë, por për raundin e dytë duket se ajo nuk ka gjasë të fitoj kundër ish-ministrit të ekonomisë, Emmanuel Macron, që është politikan pro-evropian, transmeton rel.

Zoti Macron e ka marrë një pozicion më të ashpër kundër Rusisë në mesin e katër kandidatëve kryesorë presidencialë, duke i mbështetur sanksionet e BE-së kundër Moskës dhe duke e akuzuar Kremlinin se është i involvuar në sulmet kibernetike, kundër fushatës së tij.

Rusia disa herë i ka hedhur poshtë akuzat se është përpjekur të ndikoj në zgjedhjet franceze.