Fotomontazhi ndaj Haxhiut, skandaloze (Foto)

E publikuar: 20/02/2016 19:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Raportimet se deputetes së “Vetëvendosjes”, Albulena Haxhiu, i është gjetur gazi lotsjellës në trup, po dalin krejtësisht të pavërteta. E tëra kjo ka ngjallur reagime të shumta.

Deputetes së Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, e cila po qëndron ende në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kundër kësaj propagande në përkrahje i kanë dalë edhe gratë deputete.

Blerta Deliu nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se si deputete, grua dhe nënë nuk është ndjerë mirë për atë çka ka parë në Kuvend.

“Edhe pse nuk isha e pranishme dje në Kuvend, ajo çfarë kam parë nuk më ka bërë të ndihem mirë. E aq më pak raportimet dhe fotomontazhet që janë bërë për gjetjen e gazit lotsjellës në trupin e Albulenës. Unë si grua, nënë jam ndjerë shumë keq duke pasur parasysh që te ne nuk i promovojnë vlerat gjinore”, ka thënë Deliu për “Zërin”.

E një reagimi të ashpër ndaj “sulmeve” të Haxhiut, ka qenë edhe deputetja e “Nismës për Kosovën”, Shukrije Bytyqi.

Ajo ka thënë për “Zërin” se kjo ka qenë propagandë ndaj deputetes Haxhiu. Bytyqi ndër të tjera ka treguar se ka qenë prezente vetë në momentin e alivanosjes së Haxhiut.

“Kjo çka është thënë është një propagandë, sepse unë kam qenë njëra prej atyre që e kam shoqëruar që nga rasti kur ka qenë e alivanosur dhe kam qenë ajo që ia kam hequr bluzën dhe i kam dhënë ndihmë të parë dhe Albulena asgjë nuk ka pasur. Këto janë propaganda, janë shpifje dhe janë gjeste shumë të ulëta ndaj një gruaje”, ka thënë Bytyqi.

Reagime ka pasur edhe nga rrjeti i grupeve të grave. Igballe Rugova në një prononcim për “Zërin”, ka thënë se rasti i Haxhiut është skandal, për të sulmuar një deputete kështu duke fshehur realitetin në vend.

“Ka ndodh një skandal kur është sulmuar një deputete dhe është publikuar në media, atëherë qysh ta fshehin realitetin gjithmonë ndodhin këto gjëra të pista, kur mediat kanë lidhje me pushtetin përdoren për ta njollosur një person”, ka thënë Rugova.

Po ashtu, edhe kryeredaktorja e gazetës “Zëri”, Arbana Xharra, ka reaguar në lidhje me fotomontazhin ndaj deputetes së LVV-së, Albulena Haxhiu.

“Hiç s’ka të bëjë me kauzën e opozitës, e as me gazin në Kuvend, pajtohem apo jo. Shpifjet ndaj një gruaje e nëne, fotomontazhet, si kjo me gazin në trup të Albulena Haxhiut, kalojnë secilën normë morale e etike njerëzore. Për më tepër po dëshmohet sa cak i lehtë është gruaja në politikën tonë”, ka shkruar Xharra.

Image