Forumi i të Rinjve Myslimanë me deklaratë fundamentaliste

E publikuar: 03/04/2015 20:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deklarata e Forumit të të Rinjve Myslimanë, i cili ka mbrojtur hoxhën nga Prizreni, Irfan Salihu, lidhur me deklaratën se në Kosovë nuk kishte shqiptarë para ardhjes së Turqisë, ka nxitur reagimin e analistëve.

Gazetari dhe analisti, Berat Buzhala, në një prononcim për “Zërin” thotë se FRM-ja është për t’u nënçmuar dhe të shikohet me përbuzje dhe se, sipas tij, shoqëria duhet të injorojë deklaratat e tyre.

“E konsideroj pak nën çdo nivel për t’u marrë me këto grupacione fundamentaliste dhe primitive. Kjo deklaratë e tyre në fakt nuk është krimi më i madh tyre, ajo çfarë paraqet Forumi Mysliman, apo kushdo qofshin ata, apo ajo çfarë përfaqësojnë ata unë e nënçmoj dhe e shikoj me përbuzje.

Image

Shoqëria më së mirë do të ishte t’i injoronte deklaratat e tyre, sado qofshin atraktive për mediumet online”, ka thënë ai.

Sipas Buzhlës, FRM-ja nuk e përfaqëson ndonjë shtresë të gjerë të popullatës. “Shohim edhe reagimet tash të qytetarëve ndaj këtij budallallëku dhe çmendurie të tyre”, ka përfunduar ai.

Ndërsa, analisti Jon Leka, ka deklaruar se Forumi Rinor Mysliman reagon konform doktrinës që e ndjekin si satelitë të LISBAS dhe kjo e fundit e atyre agjenturave që i financon Turqia, ka vite tashmë.

“Organizata është aq numër pak saqë nuk ka as rëndësi publikimi, pra nuk ka relevancë publike. BIK-u është organizata legale që mund të flasë në emër të komunitetit mysliman të Kosovës e jo FRM-ja. Megjithatë, të na shqetësojë duhet qasja sepse ajo nuk është vetëm e kësaj organizate, por përfaqësohet edhe në Parlament nga dy deputetë të zëshëm dhe ca të pazëshëm. Se pse religjioni përzihet në shkencën e historisë ka një arsye”, ka thënë ai.

Image

Leka më tej ka thënë se ky version i suspendimit të historisë iliro-shqiptare nga historiografia globale është intensifikuar me të madhe nga akademitë turke e që asistohet nga historitë nacionale arabe. “Është një luftë e qarqeve panislame për ta rikthyer sundimin kulturor në zonat ku kanë qenë para shekujsh”, ka thënë në fund Leka. /Zëri/