Forcat turke bombardojnë Sirinë veriore

E publikuar: 23/01/2018 05:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Forcat turke bombarduan Sirinë e veriut të hënën, në një fushatë për të larguar milicinë kurde jashtë zonës së Afrin-it, ndërsa zyrtarët njoftuan se operacioni do të përfundojë shpejt.

Përplasjet me forcat turke në veriperëndim të Afrin-it u njoftuan edhe nga milicia kurde YPG.

Zëvendës kryeministri turk Mehmet Simsek tha se ofensiva ushtarake do të shërbejë për të zvogëluar rrezikun terrorist ndaj Turqisë.

Ankaraja e akuzon YPG-në, që kontrollon Afrinin, si të lidhur me rebelimet brenda Turqisë.

Kryeministri turk Binali Yildirim tha se objektivi i operacionit është krijimi i një kordoni sigurie prej 30 kilometrash brenda zonës së Afrinit për të mbrojtur qytetet turke nga sulmet.

Ndërkohë sot shefja e diplomacisë e Bashkimit Evropian Federica Mogherini tha se ishte “shumë e shqetësuar” nga ofensiva turke kundër objektivave të milicisë kurde në Siri dhe njoftoi se do të kërkojë bisedime urgjente me zyrtarët turq.