Forcat tokësore turke hyjnë në enklavën kurde në Siri

E publikuar: 22/01/2018 09:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Forcat tokësore turke kanë kaluar kufirin dhe kanë hyrë në një enklavë kurde në Siri, konfirmoi të dielën Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.

Duke folur një ditë pasi Turqia njoftoi për operacionin ushtarak dhe kreu sulme ajrore kundër një milicie kurde të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara në Afrin, Presidenti Erdogan tha se shpresonte që operacioni të përfundonte “në një kohë shumë të shkurtër”.

Zoti Erdogan paralajmëroi gjithashtu kurdët në Turqi që të mos dalin në rrugë në shenjë proteste, duke shtuar se ata që i vunë veshin thirrjeve nga një parti kurde për protesta do të “paguajnë një çmim të lartë”.

Duke folur për operacionin që ai e quajti “Dega e Ullirit”, kryeministri turk Binali Yildrim tha se qëllimi i Turqisë është të krijojë një zonë të sigurtë prej 30 kilometrash në Afrin.

Departamenti amerikan i Shtetit tha të dielën se ishte “shumë i shqetësuar” për situatën në Sirinë veriperëndimore.

“Ne vazhdojmë të mbështesim adresimin e shqetësimeve të ligjshme të sigurisë të Turqisë si një aleat i NATO-s dhe partner kritik në përpjekjet për të mposhtur ISIS-in. Megjithatë, ne i bëjmë thirrje Turqisë të ushtrojë përmbajtje dhe të sigurojë që operacionet e saj ushtarake të mbeten të kufizuara në fushëveprim dhe kohëzgjatje dhe të matura për të shmangur viktimat civile “, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert.

Ankaraja duket se po e përshpejton operacionin meqë përballet me presion diplomatik në rritje. Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson i kërkoi Turqisë të “ushtrojë përmbajtje” dhe të shmangë vrasjen ose plagosjen e civilëve. Komentet e tij erdhën gjat[ bisedave telefonike me homologët e tij rusë dhe turq të shtunën. Ai tha se “shqetësimet legjitime të sigurisë” të Turqisë duhet të adresohen dhe u kërkoi zyrtarëve të qëndrojnë të përqendruar në qëllimin për mposhtjen e ISIS-it.

Të djelën, Parisi njoftoi se po bënte thirrje për një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.