Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë zbarkojnë në Malësi të Madhe, arrestohen disa persona

E publikuar: 29/08/2016 22:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në kuadër të operacioneve të shumta të Policisë së Shtetit për të asgjësuar kanabis sativa, është zhvilluar edhe një i tillë në zonën e Malësisë së Madhe, në Shkodër.
Sipas të dhënave nga policia, mësohet se në këtë operacion janë përfshirë rreth 200 forca policie, ku pjesë e tyre ishin edhe Forcat Speciale të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Operacioni është shtrirë në dy zona, Pult dhe Koman-Temal, ku sipas burimeve, policia kishte marrë informacion se në këto zona ishte mbjellë kanabis sativa.

Në përfundim të aksionit, policia ka sqaruar se janë asgjësuar plotë 20 mijë kanabis sativa të mbjella në 99 parcela të ndryshme.

Gjithashtu, është sekuestruar edhe bimë narkotike e thatë si dhe një armë zjarri e llojit “Shotgan”.

Po ashtu bëhet e ditur se, në prangat e uniformave blu të Shkodrës kanë përfunduar Tom Marku, me detyrë kryetari i njësisë Administrative Pult në Shkodër.

Në shtëpinë e tij u gjetën 5 parcela me kanabis sativa, ku ishin mbjellë rreth 16 mijë bimë rrënjë si dhe arma e tipit ‘Shotgan’.

Përveç personit në fjalë, raportohet se janë shoqëruar edhe dy persona të tjerë: kryeplaku i fshatit Kir, Ndue Kopshtaj dhe një banor i zonës.

Burime nga Policia e Shkodrës thanë për Gazeta Express se operacioni do të vijojë edhe në dy ditët e ardhshme. /GazetaExpress/