Fondacioni “Labinot Tahiri” dhuron 200 pako ushqimore për familjet në nevojë në Mitrovicë

E publikuar: 03/04/2020 16:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, sot ka pritur në një takim Labinot Tahirin drejtues i Fondacionit “Labinot Tahiri”, i cili ka sjellë një donacion me pako ushqimore në vlerë prej 5 mijë euro, për familjet me asistencë sociale në Komunën e Mitrovicës.

“Ky donacion i dhuruar nga Fondacioni “Labinot Tahiri” për Komunën e Mitrovicës përfshin gjithsej 200 pako ushqimore, me ç’ rast përzgjedhja e familjeve me nevojë sociale do të bëhet nga Drejtoria për Mirëqenie Sociale.

Me këtë rast kryetari Bahtiri falënderoi përzemërsisht drejtuesin e këtij Fondacioni, Labinot Tahirin për punën e palodhshme për tu dalë në ndihmë familjeve në nevojë, duke thënë se falë angazhimit të tyre po arrijnë sado pak të kontribuojnë në zbutjen e gjendjes së vështirë socio-ekonomike në Komunën e Mitrovicës”, thuhet në njoftimin e komunës.

Gjithashtu duke e parë gjendjen e krijuar pas përhapjes së virusit COVID-19 në pjesën veriore të Mitrovicës, kryetari Bahtiri tha se 100 pako ushqimore do të ndahen për banorët shqiptarë në atë pjesë, pasi që kanë me të vërtetë nevojë të ndihmohen në këtë situatë emergjente, dhe se komuna bënë përpjekje maksimale që t’i mbështesë në forma të ndryshme, me qëllim që t’ua lehtësoj jetën atyre.