FMN kërkon riklasifikimin e veteranëve të luftës deri në fund të majit

E publikuar: 25/04/2017 10:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Autoritetet e Kosovës mbajtën diskutime me stafin dhe menaxhmentin e lartë të FMN-së në Washington gjatë Takimeve Pranverore 2017.
Diskutimet kishin në fokus performancën e programit dhe masat e nevojshme për të siguruar përmbyllje të suksesshme të programit.

“Performanca në kuadër të programit të mbështetur nga Fondi vazhdon të jetë e fortë. Autoritetet i kanë përmbushur të gjitha caqet fiskale për fundin e muajit mars, si dhe janë të bindur se deficiti i buxhetit në vitin 2017 do të mbahet në kuadër të limiteve të rëna dakord. Sistemi bankar është i shëndoshë, me nivel solid të kapitalit dhe likuiditetit, me kredi joperformuese në nivelin më të ulët historik, si dhe kanë shënuar fitime të qëndrueshme. Reformat strukturore në fushën e zbatimit të kontratave dhe prokurimin publik janë duke avancuar, gjë që do të ndihmojë në zhbllokimin e kredive bankare dhe do të përmirësojnë mjedisin e biznesit”, thuhet në deklaratën e Ruud Vermeulen, Drejtor i Zyrës së FMN-së në Kosovë, raporton Koha.net.

Ai thotë se është kritike që ky progres të vazhdojë dhe që autoritetet t’i realizojnë të gjitha masat e mbetura për të siguruar përmbyllje të suksesshme të programit.

Në veçanti, thotë Vermeulen, kjo do të kërkojë, së pari riklasifikimin e veteranëve të luftës deri në fund të muajit maj, pas shpalljes nga Presidenti të Ligjit për veteranët e luftës, me ndryshime e plotësime.

“Për ta ruajtur integritetin e procesit të pritur, riklasifikimi duhet të bazohet në vlerësime të besueshme të kohëzgjatjes së shërbimit të veteranëve gjatë luftës”, ka thënë Ruud Vermeulen, Drejtor i Zyrës së FMN-së në Kosovë.

Më tej, Vermeulen thotë se ndryshimi dhe plotësimi i ligjit për invalidët e luftës duhet të bëhet deri në mes të muajit maj, ashtu që kriteret për kualifikim për invaliditet të luftës të jenë në përputhje me ato të aftësisë së kufizuar civile.

“Harmonizimi i kritereve do të sigurojë paanshmëri dhe barazi në trajtim”, ka theksuar ai.

“Këto masa do të sigurojnë që shpenzimet në skemat e përfitimeve të lidhura me luftën të jenë të qëndrueshme, duke liruar kështu hapësira për shpenzime më të larta në fusha prioritare siç janë arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura”, potencon Vermeulen.

Në Washington është rënë dakord se do të jetë thelbësore që veprimet të merren brenda periudhës së paraparë kohore meqë programi do të përfundojë vetëm pas pak muajsh.

“Përfundimi i suksesshëm i programit do t’i përforconte rezultatet e arritura me vështirësi përgjatë dy viteve të fundit”, ka thënë në fund, drejtori i Zyrës së FMN-së në Kosovë, Ruud Vermeulen.