Flet pronari i ‘Maroon Pub’: Ja si ndodhi e gjithë ngjarja!

E publikuar: 20/01/2017 12:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pronari i “Maroon Pub” Florim Kajtazi, ku mbrëmë mbeti i plagosur një nga punëtorët e kësaj kafeje, është rrëfyer për Gazeta Blic se si ka ndodhur i gjithë rasti, si është plagosur punëtori që kishte qëlluar aty, dhe se si u sulmua lokali.

Kajtazi thotë se ishte duke hyrë në banesën e tij, kur kishte ndodhur sulmi.

“Unë isha duke shkuar në banesë. Kam dëgjuar disa krisma në të hyrë të banesës sime edhe ma mori mendja se e kam afër lokalin, afër banesës. Jam kthyer menjëherë, kam shkuar, pash që policia ishin aty e kishte informuar dikush”, fillon rrëfimin e tij Kajtazi, për Gazeta Blic.

Sulmi sipas tij, ndodhi pasi lokali e kishte përfunduar orarin e rregullt të punës.

Ai tregon se disa persona të armatosur kanë shtënë drejt lokalit dhe e kanë plagosur në këmbë rojtarin, i cili në kohën kur ndodhi ngjarja ishte pranë dritares.

“Në lokal nuk ishte askush, d.m.th punën e kemi pas përfunduar orari i punës. Ata kishin gjuajtur prej rrugës, brenda lokalit ishte vetëm rojtari edhe e kanë plagosur. E kanë plagosur në këmbë, pasi që ishte afër dritares. Sulmuesit nuk është se ishin në lokal, ata kanë qenë jashtë, prej rrugës kanë gjuajt drejt lokalit”, janë fjalët e pronarit të ‘Maroon Pub’

Kajtazi tani për tani tha se është pranë të plagosurit dhe për gjendjen e tij shëndetësore tha së është mirë, vetëm këmbën e ka të lënduar.