Flet anëtarja e Kryesisë së LDK’së: Isha e linçuar, në parti ka mbeturina të krimbura

E publikuar: 27/07/2019 18:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rita Hajzeraj-Beqaj ka shpërthyer me akuza në drejtim të Partisë së Isa Mustafës. Ka thënë se e kishin eliminuar nga gara për deputete në zgjedhjet e fundit pavarësisht se ishte pjesë e Kryesisë së LDK’së. Është ankuar se partia e ka linçuar. Ndërsa, ka thënë se në Partinë e themeluar nga Ibrahim Rugova ka ende mbeturina që flasin për demokraci e që janë të krimbur.

Një ish-deputete dhe ish-Zëvendësministre e LDK’së po thotë se në Partinë e Isa Mustafa ka grupe që linçojnë e eliminojnë. Të njëjtit, sipas saj, janë edhe anëtarë të Kryesisë.

“Kam qenë e linçuar totalisht”, thotë Rita Hajzeraj-Beqaj.

Në një reagim dërguar Gazetës Express, për raportimin e punësimit të saj në Agjencinë e Pyjeve, ajo ka sqaruar shumëçka lidhur me ftohjen e raporteve të saj me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Para se të shkruani për punësimin tim është dashur të shkruani për padrejtësinë që është bërë ndaj meje nga një grup i ngushtë i Kryesisë së LDK’së. Punësimi im është bërë duke respektuar ligjin”, ka shkruar ish-deputetja e LDK’së.

Express ka shkruar sot se ish-deputetja e LDK’së, Rita Hajzeri-Beqa, është punësuar në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës. Ajo ka marrë pozitën e auditores së brendshme. Nuk ka dhënë dorëheqje nga Kryesia e LDK’së për të marrë pozitën në shërbimin civil të Kosovës.

Për herë të parë, anëtarja e Kryesisë së LDK’së, ka shpalosur planin e disa njerëzve të LDK’së që e kishin eliminuar nga gara për deputete dhe nga Partia.

Nuk ka përmendur asnjë emër se kush ishin ata që e larguan e linçuan nga partia.

“Veç paskit harru me theksuse në zgjedhjet e fundit, në momentet e fundit, hiqet emri im nga lista për deputetë. Edhe pse jam lam lutur në Kryesi që si Zëvendësministre dhe person publik të ofrojë edhe disa emra të tjerë të gjinisë femërore për t’i inkuadruar në listën për deputetë ngase ende ka pasur vend. Unë vrapojsha ne gjet gra e vajza për të qenë pjesë e listës sepse ashtu isha lutur nga Kryetari në mbledhjen e Kryesisë, ndërsa në anën tjetër anëtarja e Kryesisë të hiqet në momentet e fundit nga lista pa asnjë paralajmërim dhe shpjegim është e pafalshme”, ka shkruar Hajzeri-Beqaj.

Zyrtarisht, Hajzeraj-Beqaj është pjesë ende e Kryesisë së LDK’së.

Por, ajo ka treguar se ka dy vjet që askush s’e fton në mbledhjet e Organit Ekzekutiv të Partisë.

“Për më tepër, prej asaj dite që jam hequr nga lista për deputete pa shpjegim nga ana e Kryesisë së LDK’së asnjëherë s’jam ftuar të marrë pjesë ne mbledhjet e Partisë. Prej atëherë asnjëherë s’e kam parë veten pjesë të Kryesisë së LDK’së”, ka shtuar ajo.

Ajo ka thënë se po të ishte pjesë e LDK’së nuk do të fitonte Haki Rugova garën ne Istog me vetëm katër vota diferencë ndaj Gani Dreshajt të AAK’së.

“Kjo është tregues i qartë se në LDK ka ende mbeturina që në publik flasin për një demokraci të mirëfillt por nga brenda janë të krimbur”, ka akuzuar Hajzeraj-Beqaj.

Express ka shkruar sot se Rita Hajzeri-Beqa nuk e ka pritur fare që LDK’ja të marrë Qeverinë e Kosovës për t’u punësuar në shtet. Anëtarja e Kryesisë së LDK’së është punësuar në Agjencinë e Pyjeve në pozitën e audotores së brendshme.

Në një njoftim në FB, Hajzeri ka publikuar edhe pozitën e re ku shkruan se është punësuar si “Drejtoresh e Auditimit të Brendshëm” në Agjencinë e Pyjeve. Kjo agjenci është e udhëhequr prej Ahmet Zejnullahut, ish-ushtar i UÇK’së dhe i afërt me Partinë e Kadri Veselit.

Rita Hajzeri kishte qenë pjesë e AKR’së së Behgjet Pacollit. Pastaj ishte bërë pjesë e Partisë së Isa Mustafës.

Në mandatin e fundit, Hajzeri ka qenë pjesë edhe e Kryesisë së LDK’së organit vendimmarrës të partisë.`

Madje në Qeverinë e udhëhequr nga Isa Mustafa, Hajzeri kishte mbajtur pozitën e Zëvendësministres.

Kur kishte deklaruar pasurinë si zv.Ministre më 2016, Rita Hajzeri kishte treguar se ka të kursyera 15 mijë euro në bankë.

Deri më tash s’ka dhënë dorëheqje nga Partia pavarësisht se në vitin e fundit ajo s’ka marrë pjesë pothuajse në asnjë mbledhje të LDK’së.

LDK’ja pritet të mbajë Kuvendin e Përgjithshëm të dielën e javës së parë të gushtit. Aty, pritet të votohen organet e reja të Partisë përfshirë edhe Kryesia e re.

Javën e kaluar LDK s’ka mbajtur asnjë aktivitet pasi Isa Mustafa kishte udhëtuar për në Gjermani.

Në LDK kanë thënë se Mustafa ka qenë në një trajtim në një banjë në Gjermani ku ka pasur edhe kontrolle shëndetësore.