Flet ambasadori i parë i Kosovës në SHBA: Temat e dialogut po mbahen sekrete, por kështu do të duket marrëveshja në Uashington

E publikuar: 16/06/2020 20:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

27 qershori i këtij viti do të jetë data e rifillimit të dialogut ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë.

Shtëpia e Bardhë do të i mirëpres delegacionet e dy shteteve, për të vazhduar procesin e dialogut, e ku  palët do të përfaqësohen nga presidentët dhe kryeministrat e të dy vendeve, e ku për ndërmjetësues do ta kenë, të dërguarin e posaçëm të SHBA-ve, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Të kontaktuar nga Front Online, nga zyra e Grenellit, nuk kanë dhënë detaje për temat e diskutimit në këtë takim.

Ndërsa skeptik për ndryshimin e qasjes së Serbisë ndaj Kosovës, edhe pas ndërmjetësimit të SHBA-ve, janë shprehur ish-diplomatët kosovarë në SHBA.

Ish-ambasadori i parë i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, ka thënë për Front Online, se Serbia nuk është shtet që u qëndron pas premtimeve që i jep bashkësisë ndërkombëtare.

“Nuk është diçka e re që Serbia nuk respekton asnjë marrëveshje, asnjë premtim që i bën bashkësisë ndërkombëtare, apo kujtdo qoftë. Ky është problemi kryesor edhe në tërë procesin e negocimit, apo të bisedimeve. Sepse merresh vesh për çdo gjë dhe ata vazhdojnë me të vjetrën”, ka thënë ai për Front Online.

Spahiu: Grenelli e ka marr seriozisht dialogun, s’do të ketë zgjidhje përfundimtare

Ish-diplomati kosovar në Uashington ka shprehur besim ndaj Grenellit. Spahiu ka thënë që me angazhimin e Grenellit në dialog, është vënë në pah edhe serioziteti i SHBA-së, kundrejt këtij procesi.

“Nga ana tjetër Grenell e ka marrë seriozisht siç duket angazhimin e SHBA-së në këtë proces dhe shpresoj që me atë vrull dhe me energji që e ka reaguar deri më tani, të jetë i denjë për të afruar të dyja palët dhe për të biseduar në mënyrë serioze, rreth çështjeve që preokupojnë të dy vendet”, ka thënë Spahiu.

Ish-ambasadori i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, ka thënë për Front Online, se ka shumë pak informacione për sa i përket temave të diskutimit në dialogun Kosovë-Serbi. Spahiu poashtu theksoi se nuk pret që të ketë zgjidhje të konfliktit Kosovë-Serbi së shpejti.

“Nuk pres që do të ketë një zgjidhje përfundimtare së shpejti në këtë aspekt. Kjo edhe për shkak të rrethanave në të cilat gjendemi në përgjithësi. E kam parasysh edhe zgjedhjet në SHBA, pastaj zgjedhjet në Serbi, dhe zhvillimet në rajon. Me rëndësi është që po vazhdon procesi, por nuk shoh ndonjë zgjidhje të shpejtë rreth kësaj çështje”, ka thënë ai, për Front Online.

Spahiu theksoi edhe faktin e mungesës së temave që do të vendosen nga Kosova, në tryezën e dialogut në Uashington.

“Epilogu i  marrëveshjes të paktën nga ajo që po shohim edhe pse nuk i kemi të gjitha informacionet se çfarë do të hidhet në tavolinën e bisedimeve, por sipas premtimeve shpresojmë që do të ketë një zgjedhje e cila do ta bëj Serbinë që në një mënyrë të ketë një qëndrim më të qartë, duke e parë realitetin që ekziston tash e 20 vite në Kosovë. Kjo do të kurorëzohej me një njohje të Kosovës”, ka thënë Spahiu.

Hoti apo Thaçi, “shef” i dialogut? Përgjigjet ish-ambasadori i Kosovës në SHBA

Gjatë prezantimit të Strategjisë për Dialogun më Serbinë, kryeministri i vendit Avdullah Hoti, potencoi që ai do ta udhëheq dialogun me Serbinë. Njëkohësisht edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka deklaruar së fundmi që edhe ai do të jetë bashkudhëheqës i dialogut bashkë me kryeministrin Hoti.

Për këtë gjë ish-ambasadori i Kosovës në ShBA, Avni Spahiu ka thënë për Front Online, që të dy duhet të marrin pjesë në dialog bazuar në kompetencat dhe autorizimet që i kanë ata.

“Natyrisht që secili duhet t`i ketë përgjegjësitë e veta institucionale dhe të dihen autorizimet e secilit. Besoj se në një ekip do të bënin punë. Ata ndodhen në pozitat në të cilat janë dhe nuk mund të themi që ata nuk munden që të përfaqësojnë në mënyrë të denjë Kosovën në dialog”, ka thënë Spahiu për Front Online.

Ish-ambasadori Spahiu: Është luks për Kosovën të bëj eksperimente në raport me SHBA-të

Ish-qeveria “Kurti”, vazhdimisht është akuzuar nga oponentët politik për prishje të raporteve me SHBA-në. Ambasadori i parë i Kosovës në këtë shtet për Front Online, ka thënë që e njëjta qeveri është keqkuptuar për sa i përket raporteve me Amerikën.

“Unë mendoj që megjithatë ka qenë një keqkuptim, ndoshta më shumë sesa një qëndrim. Unë nuk e shoh asnjë subjekt të Kosovës që është antiamerikan. Ndoshta mund të ndryshojnë qëndrimet. Mund të ketë dyshime në prapavija që mund të krijohen në dëm të Kosovës, por mund të ketë qenë një keqkuptim ndonëse është luks i tepërt për ne si Kosovë që të bëjmë eksperimente në raport me SHBA-të”, ka thënë ai për Front Online.