Flet aktorja: “Didi do të ishte bërë politikane nëse do të kishte vazhduar “Njerëz dhe Fate”

E publikuar: 23/10/2017 11:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një nga personazhet më të dashur të këtij seriali (ndonëse ishte personazh negative), ka qenë Didi e cila është interpretuar nga aktorja e famshme kosovare, Arta Muçaj.

Muçaj është shpërngulur prej tetë vitesh në Australi, por nuk i ka thënë “jo” projekteve kinematografike kosovare, si “Vjeshta e Trendafilave”, “Home sweet home” dhe së fundmi ka përfunduar edhe xhirimin e filmit “Qiej të trazuar”. 

Në një intervistë ekskluzive për programin “Lart e Poshtë”, ajo nuk mund të mos fliste edhe për personazhin e Didit në “Njerëz dhe Fate”. “Roli i Didit është një personazh i errët dhe mua këta personazhe më flenë më shumë. Edhe sot po të vazhdonte ai serial do ta bëja pa hezitim. 

Nuk ka ditë mos të më shkruajnë, gjenerata të rinjë që atëherë kanë qenë shumë të vegjël dhe nuk e di ku i ndjekin seritë e telenovelës, ndoshta në You Tube”, ka thënë Arta. E pyetur nga gazetarja Suada Daci nëse i është mërzitur ky personazh, ajo ka thënë pa hezitim “jo”. “Absolutisht jo, ai është bërë në një kohë shumë të shpejtë, ne bëmë vetëm 20 seri ndërkohë që sot mund të ishin bërë 50, 100, apo 150 të tilla. Nëse seriali do të zgjaste personazhi i Didit do të zhvillohej më shumë, ajo do të bëhej deputete do t’i hynte politikës”, ka thënë Mucaj duke qeshur. 

Përsa i përket marrëdhënieve me aktorët e tjerë të kastit të “Njerëz dhe Fate”, Arta Mucaj ka thënë se ka shumë vite pa i parë. “ Kam shumë vite pa i parë, Arben Derhemin ndoshta më shumë se 5 vjet, Valbona Imami ka ikur jashtë shtetit, Me Bonën kemi qenë në fakultet, pra jemi shkëputur pak a shumë. Por do të vijë së shpejti në Tiranë dhe ku i dihet ndoshta qëndroj përgjithmonë”, është shprehur aktorja prizrenase.