Fitorja e Mitsotakis ngre pikëpyetje në zbatimin e Marrëveshjes së Prespës

E publikuar: 08/07/2019 17:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se fitorja në zgjedhjet e së dielës e partisë “Demokracia e Re” e udhëhequr nga Kyriakos Mitsotakis – tashmë kryeministër i ri i Greqisë – nuk do të mund të vë në pikëpyetje Marrëveshjen e Prespës e cila i dha fund konfliktit më shumë se dy dekada e gjysmë për çështjen e emrit.

Çështja e emrit kishte bllokuar Maqedoninë e Veriut për një kohë të gjatë në proceset eurointegruese.

Analistët thonë se Marrëveshja e Prespës është një marrëveshje ndërkombëtare me rregulla të qarta, të cilat, sipas tyre, duhet të respektohen. Ata vlerësojnë se një marrëveshje e tillë nuk mund të anulohet njëanshëm.

Ish-ambasadori Muhamed Halili, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Greqia në asnjë mënyrë nuk mund ta vë në pikëpyetje Marrëveshjen e Prespës, pavarësisht se kryeministri i ri i këtij shteti, Kyriakos Mitsotakis, e kishte kundërshtuar atë, gjersa ishte në opozitë.

“Për vetë Mitsotakisin tani do të ishte një barrë shumë e madhe, po që se do t’i rikthehej një pune të cilën ka dashur që ta kryejë, por e kanë kryer të tjerët. Ata që kryen këtë punë, tani paguan faturën dhe humbën zgjedhjet”.

“Sipas meje çdo politikan do të bënte një marrëzi të dorës së parë po që se një punë të vështirë që është dashur të kryhet dhe atë e kanë kryer të tjerët, ai e merr rishtazi përsipër. Thellësisht jam i bindur se kjo çështje edhe për Mitsotakisin është e kryer”, thotë Halili.

Edhe Lubco Petkoski, ish-drejtor ekzekutiv në qendrën për strategji evropiane “Evrothink”, për Radion Evropa e Lirë shprehet i bindur se Qeveria e re greke, e drejtuar nga Mitsotakis, nuk do ta kontestojë Marrëveshjen e Prespës, megjithëse thotë se kjo marrëveshje do të ketë shumë probleme gjatë jetësimit të saj.

Petkoski thotë se “betejat e vogla” do të shfaqen gjatë interpretimit të çështjeve të caktuara që janë pjesë e Marrëveshjes së Prespës.

“Për shembull këtu janë çështjet që kanë të bëjnë me historinë, parashtesat, shenjat tregtare si dhe çështjet të tjera që duhet t’i shqyrtojnë komisionet bilaterale”, thotë Petkoski.

Ndërkaq, Muhamed Halili nënvizon se pengesat e para nga Greqia do të jenë të dukshme gjatë zbatimit të Marrëveshje së Prespës, siç shprehet ai, sa për të krijuar imazh para opinionit grek ‘se ja Mitsotakis shpëton aq sa mund të shpëtohen gjërat që janë me interes për palën greke’.

“Unë konsideroj se Mitsotakis do të bëjë obstruksione që ta bindë elektoratin e tij se ai ka pasur të drejtë që e ka kundërshtuar nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës sepse sipas tij, ajo marrëveshje ka pas shumë defekte dhe tani përmes obstruksioneve do të përpiqet të përmirësojë defektet e huaja”, thotë Halili.

Përderisa Lubco Petkoski thotë se Maqedonia e Veriut duhet të tregohet vigjilente, që mos bie pre e provokimeve që mund të bëjë pala greke.

“Po mund të kemi provokime që ndërlidhen me identitetin, emërtimi sllavo-maqedonas dhe çështje të këtilla që do të tentojnë të dramatizojnë situatën, por e rëndësishme është që ne mos të bien pre e këtyre provokimeve, por të ecim drejt qëllimit tonë, i cili është i qartë, pra integrimi në BE”, thotë Lubco Petkoski .

Ndryshe, lideri i partisë “Demokracia e Re”, Kyriakos Mitsotakis, javën e kaluar, para gazetarëve ka thënë se Marrëveshja e Prespës nuk mund të shfuqizohet njëanshëm, megjithëse ka shtuar se kjo marrëveshje dëmton interesat e palës greke, pasi siç është shprehur ai, të gjithë bizneset në Greqi që kanë emrin “Maqedoni” apo të ngjashme, janë të pambrojtur.