Fillon zbatimi i marrëveshjes së IBM mes Kosovës dhe Serbisë

E publikuar: 16/02/2017 12:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga gjashtë pikëkalimet kufitare të përhershme që do të ndërtohen në kuadër të projektit të gjerë të Menaxhimit të Integruar të Kufirit (IBM)në mes të Kosovës dhe Serbisë, është bërë vendosja e gurthemelit të ndërtimit të pikës së kalimit kufitar në mes të Kosovës dhe Serbisë në Merdare.

Kjo është pika e parë kufitare që u vendos në kuadër të projektit të gjerë të Menaxhimit të Integruar të Kufirit, i paraparë më marrëveshjen për IBM të arritur në kuadër të dialogut të Brukselit.

Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova, ka theksuar se vënia e gurthemelit në këtë pikë kufitare është rezultat i dialogut ne mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne jemi të vetëdijshëm se vetë ndërtimi i një ndërtese të tillë të rëndësishme nuk garanton që në mënyrë automatike kërkesat e mëparshme janë të plotësuar. Qeveria duhet të sigurojë llogaridhënie, shumë rezultate dhe vullnet politik në veçanti në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka theksuar Apostolova.

Apostolova ka shtuar se Bashkësia Evropiane ka ndarë resurse financiare të konsiderueshme për realizimin e këtij projekti dhe projekteve të tjera që janë pjesë integruese e strategjisë së BE-së për Kosovën.

Në anën tjetër, ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës Edita Tahiri thekson se menaxhimi i kufijve sipas standardeve evropiane demonstron përkushtimin e Kosovës për integrime evropiane dhe euroatlantike.

Tahiri ka thënë Kosova është ndër shtet e para të rajonit që ka vendosur dhe zbaton politikat e menaxhimit të integruar të kufijve si një model i avancuar të kontrollit të kufijve në mbrojtje të sovranitetit.

“Vënia e gurthemelit në pikën kufitare në Merdar është dhurata jonë për ditëlindjen e nëntëvjetorit të shtetit tonë të ri. Ky është një gur më shumë në themelet e shtetit të sovranitetit dhe prosperitetit. Ky rezultat i dialogut për fqinjësi të mirë dhe paqe që po e zhvillojmë në Bruksel është rezultat i IBM-it me të cilën vendosen kufijtë ndërshtetërore mes dy shteteve Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve”, ka thënë Tahiri.

Gjashtë pikëkalimet kufitare të përhershme së që do të ndërtohen në kuadër të projektit të gjerë të Menaxhimit të Integruar të Kufirit (IBM) në mes të Kosovës dhe Serbisë, sipas marrëveshjes së arritur vite më parë, do të ndërtohen me financimin e Komisionit Evropian përmes fondeve të Instrumentit të Para Aderimit (IPA) me një shumë prej mbi 21 milionë euro. (REL)