Fillon seanca gjyqësore për rastin “Stenta”

E publikuar: 21/10/2016 11:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, ka filluar seanca gjyqësore për rastin e njohur si “Stenta”. Për shkak të numrit të madh të akuzuarve, trupit mbrojtës dhe të interesuarve të përcjellin këtë seancë, ajo po zhvillohet në sallën e konferencave.

Përballë gjykatës janë edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani,pastaj ish-drejtori i Klinikës së Kardiologjisë, Gani Bajraktari dhe shumë mjekë e zyrtarë të tjerë të përfshirë në këtë aktakuzë.

Në përgjithësi, të akuzuar janë 44 mjekë, 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit se kanë vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe kanë lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë Institucioneve publike shëndetësore, për periudhën 2011 -2015.