Fillon punën grupi punues për adresimin e ankesave të investitorëve të huaj ndaj institucioneve

E publikuar: 28/08/2015 15:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendësministri i Drejtësisë, Lirak Çelaj sot ka kryesuar takimin e grupit punues për çështje legjislative dhe për adresimin e ankesave të investitorëve ndaj institucioneve, në kuadër të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës.

Gjatë takimit, Zëvendësministri Çelaj theksoi se Ministria e Drejtësisë është e gatshme të kontribuojë në funksionimin e këtij grupi, për të përmirësuar kushtet për bizneset dhe investitorët e huaj.

“Ministria e Drejtësisë po bën përpjekje të vazhdueshme për të përmirësuar kushtet e të bërit biznes dhe mbrojtjes së investitorëve përmes politikave që parandalojnë çfarëdo keqpërdorimi që mund t’i dëmtojnë investimet dhe që shkojnë në favor të zhvillimit ekonomik”, ka thënë Çelaj.

Zëvendësministri Çelaj, ka theksuar se Ministria e Drejtësisë tashmë ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm gjatë këtij viti për ta përmirësuar ambientin e të bërit biznes.

Në kuadër të plotësim ndryshimeve të katër ligjeve të gjyqësorit është themeluar edhe një Divizion i veçantë në kuadër të Degës për Çështje Ekonomike në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ky divizion do të shtjellojë me efikasitet të shtuar lëndët që prekin investitorët e huaj. Zëvendësministri Çelaj tha se ky veprim ngritë sigurinë e kapitalit të investuar në Kosovë, që është edhe parakusht për zhvillim të biznesit dhe ngritje ekonomike të vendit.