Fillon fushata për zgjedhjet më të rëndësishme të Parlamentit Evropian

E publikuar: 02/05/2019 20:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partitë politike në gjithë Evropën po fillojnë fushatën për ndoshta zgjedhjet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian që nga viti 1979, kur qytetarët e bllokut filluan të votojnë për Parlamentin Evropian.

Pjesëmarrja është normalisht e ulët në 28 vendet anëtare, mesatarisht 43 për qind, por partitë e reja populiste dhe nacionaliste të kontinentit shpresojnë që ky vit të jetë i ndryshëm. Votimet janë parashikuar të mbahen nga 23 deri më 26 maj.

Udhëheqësit e tyre besojnë se pjesëmarrja e lartë do të jetë në avantazh të tyre, ndërsa përpiqen të frenojnë integrimin evropian dhe t’i rikthehen një kohe kur, sipas ideologjisë së tyre, shtetet nuk e ndanin sovranitetin me fqinjët.

Sipas një ankete në Evropë, dy të tretat e të gjithë evropianëve dhe tre të katërtat e gjermanëve, kanë ndër mend të votojnë në zgjedhje.

Për populistët, mirëqenia ekonomike po bëhet dytësore ndaj identitetit kombëtar dhe mesazhi i tyre i ka rrënjët në ndjenjat anti-imigracion.

Partitë tradicionale të Evropës që ndjekin kryesisht një politikë socio-ekonomike, mund të pësojnë humbje në zgjedhjet parlamentare të këtij muaji nën sfidën e partive populiste, që mbështeten tek ndasitë socio-kulturore. Sipas anketave, mbështetja për populistët po rritet.

Në këto zgjedhje po ofrohen dy vizione të Evropës që bien ndesh më njera-tjetrën, me centristët që udhëhiqen nga Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe populistët nacionalistë, me në krye udhëheqësin e së djathtës së skajshme të Italisë, Matteo Salvini. Populistët po këshillohen nga ish-ndihmësi i presidentit Donald Trump, Steve Bannon.

Presidenti francez Macron po e paraqet veten si antidota e së ashtuquajturave “demokraci joliberale” të Evropës Qendrore dhe mbrojtës i Bashkimit Evropian. Udhëheqësi francez do që të reformojë dhe rigjallërojë bllokun, duke thelluar integrimin politik dhe ekonomik të Evropës.

44 vjeçari Salvini jo vetëm që do të frenojë imigracionin e mëtejshëm, por të ndërmarrë një zmbrapsje, në mënyrë që blloku të bëhet më shumë një grup vendeshjo aq të lidhura dhe me më pak të kufizuara nga Brukseli dhe traktatet e BE-së.

“Ne po punojmë për një ëndërr të re evropiane”, tha zoti Salvini në mars, në një grumbullim udhëheqësish populistë evropianë.
Ai do që populistët të paraqesin një platformë të përbashkët elektorale, të ngjashme me manifetsin e partisë së tij, Lega që angazhohet “të theksojë dhe rikonfirmojë rrënjët e përbashkëta të krishtera, të mbrojë identitetin kombëtar dhe përparësinë e ligjeve dhe direktivave të vendit ndaj atyre evropiane”.

Partitë populiste, veçanërisht në Itali, Poloni, Hungari dhe France, pritet të fitojnë terren të konsiderueshë, në zgjedhjet e majit për parlamentin me 750 vende. /VoA