Fillojnë telashet serioze për Hashim Thaçin e Isa Mustafën

E publikuar: 12/07/2015 22:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vizita e ndihmës sekretares amerikane të shtetit, Victoria Nuland duket se i ka vënë në një situatë shumë të pakëndshme dy drejtuesit e koalicionit qeverisës, Hashim Thaçin e Isa Mustafën. Burime të Gazetës Blic të afërta me procesin e krijimit të Gjykatës Speciale kanë thënë se Nuland gjatë vizitës së sotme ishte shumë e qartë që ky proces duhet të përfundoj sa më shpejt.

“Problemet e mëdha do t’i ketë Hashim Thaçi me deputetët e tij, ngase Mustafa i ka të sigurta votat e tij për Gjykatën Speciale. Përkundër asaj që Hashim Thaçi është zotuar se do ta themeloj gjykatën, nuk i ka votat e sigurta për themelimin e saj”, ka thënë ky burim.

Gjithnjë sipas këtij burimi, edhe më tutje janë më shumë se 8 deputetë të PDK-së që vazhdojnë ta kundërshtojnë themelimin e kësaj gjykate.

“Presioni i Thaçit ndaj deputetëve të PDK-së do të vazhdon të rritet, mirëpo nuk do ta ketë të lehtë t’i bind ata”, ka thënë ky burim.

Gjatë ditës së sotme, ndihmës sekretares amerikane të shtetit, Victoria Nuland pos Mustafës e Thaçit e ka takuar edhe presidenten e vendit, Atifete Jahjaga dhe kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli.

Ajo në një intervistë që e ka dhënë për RTK-në e ka thënë shumë qartë se nëse këtë gjykatë nuk do ta themeloj Kosova, këtë do ta bëjë OKB-ja.

Nuland tha se themelimi i Gjykatës do ta ndihmojë edhe SHBA-në në mënyrë që Kosova të ecë përpara.

“Është shumë me rëndësi që të themelohet Gjykata dhe shpresoj se do të ketë edhe një votim tjetër për këtë para pushimeve verore”, ka thënë Nuland.

Ndërkohë, burime të Gazetës Blic kanë thënë se pos numrave, problem për koalicionin do të paraqes edhe mënyra se si Qeveria do ta procedojnë sërish në Kuvend amendamentin kushtetues, i cili do t’i hapte rrugë Gjykatës Speciale.

“Riprocedimi i tij pa asnjë ndryshim, do të binte ndesh me nenin 144 të Kushtetutës. Prandaj, Qeveria vazhdon të mos ta ketë të qartë se si të veproj”, tha ky burim.

Ndërkohë, i kontaktuar nga Gazeta Blic, zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi ka thënë se ai nuk ka çka të shtoj pos atyre që ka thënë shefi i tij, Isa Mustafa, i cili kishte shpresuar që kjo gjykatë të votohej para pushimeve.

Në anën tjetër, partitë opozitare vazhdojnë të mos ndërrojnë qëndrim, duke e kundërshtuar themelimin e saj. Liderët e tri partive opozitare, Visar Ymeri, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj kanë theksuar se ata janë për një opsion të ri, gjegjësisht për themelimin e një Gjykatë për krime lufte, në kuadër të sistemit juridik të vendit.

Votimi i amandamentit kushtetues i cili do t’i hapte rrugë krijimit të Gjykatës Speciale kishte dështuar në fund të muajit qershor, ku ishin pikërisht deputetët  e PDK-së ata që e votuan kundër.

Deputetët e PDK-së: Fadil Beka, Fadil Demaku, Ganimete Musliu, Nait Hasani, Xhevahire Izmaku, Rafet Rama dhe Raif Çela kishin votuar kundër ndryshimeve kushtetuese. Ndërsa kishin abstenuar deputetja Flora Brovina dhe Nezir Çoçaj. Ndërkaq, deputetët e PDK-së, Bekim Haxhiu- Kamishi, Nuredin Lushtaku, Blerta Deliu- Kodra dhe Salihe Mustafa, vepruan ngjashëm sikurse opozita, duke i ikur votimit./ Gazeta Blic