Fillojnë punimet për ndërtimin e Bulevardit të qytetit të Kamenicës

E publikuar: 15/05/2020 18:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot kanë filluar punimet për ndërtimin e Bulevardit të qytetit të Kamenicës.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati së bashku me zyrtarë nga Drejtoria e Urbanizmit, përfaqësues nga Zyra për Investime dhe Mbështetje të Bizneseve , përfaqësues nga kompania projektuese “Globi – M.I. SH.P.K.; ARBOR GROUP” si dhe akterë të tjerë, kanë ndjekur nga afër fillimin e punëve për ndërtimin e bulevardit.

I pari i komunës tha se është shumë i lumtur që sot po fillon të realizohet ky projekt madhor për ndërtimin e Bulevardit të qytetit.

“Tejet i lumtur që sot nisëm punimet për ndërtimin e Bulevardit të qytetit. Ky projekt madhor për Kamenicën, po jetësohet në segmenti kryesor rrugor që ndodhet mes drunjve të lartë e plot gjelbërim, e që bulevardit do ia shtojnë edhe më shumë bukurinë. Me ndërtimin e bulevardit, Kamenica do të marrë një pamje të mrekullueshme. Ju qoftë përhajër e vazhdojmë tutje”, tha Kastrati.

Ndryshe nga sot rruga “Skënderbeu”, mbyllet për qarkullim të automjeteve (duke filluar nga hyrja e shkollës “Fan Noli” deri tek udhëkryqi që shkon tek Policia). Qarkullimi i automjeteve gjatë kësaj periudhe do të bëhet përmes dy rrugëve alternative, ku dhe do të vendosen sinjalizuesit përkatës.

Projekti për ndërtimin e bulevardit është projekt dy vjeçar dhe është financuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit.

Ndërsa punimet për Bulevard do të realizohen nga grupi operatorëve ekonomik Globi – M.I. SH.P.K.; ARBOR GROUP.