“Fillimi i punës së Gjykatës Speciale do të jetë shumë i vështirë”

E publikuar: 14/03/2016 22:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fillimi i punës së kësaj Gjykatës Speciale ka për të qenë shumë i vështirë, ashtu sikurse ka qenë edhe miratimi i saj.

Kështu e ka përshkruar presidenti në ardhje, Hashim Thaçi, në një intervistë dhënë gazetës Dita.

“Ne na është dashur që ta kapërdijmë këtë gjykatë që praktikohet për herë të parë në këtë model, sepse kemi dashur të heqim njëherë e mirë njollën e padrejtë që janë përpjekur t’i vëne luftës sonë dhe sepse kemi dashur të ruajmë partneritetin tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë perëndimorë”, ka thënë Thaçi, teksa ka shprehur bindjen se akuzat do të bien sikurse ranë ato që u bënë në Hagë.

“Sepse jam i bindur që populli ynë ka zhvilluar një luftë të drejtë dhe të ndershme”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka thënë se “tradita e lëvizjes sonë kombëtare që trashëgojmë prej rilindësve, është mbështetur në një patriotizëm modern që kultivonte dashurinë për veten tonë e jo urrejtjen për tjetrin”.
“Lufta jonë për liri e pavarësi nuk është një reagim apo imitim i shovinizmit serb, por është një vazhdimësi, është një flakë e pashuar për liri. është ndezur që në Lidhjen e Prizrenit. Nëse lexoni programin e përgjithshëm të kryengritjes në Kosovë të vitit 1919 të përgatitur nga komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, pothuaj çereku i 16 pikave u dedikohej udhëzimeve ndaj kryengritësve për t’u përkujdesur e respektuar civilët e etnive të tjera gjatë kryengritjes. Ne kurrsesi nuk do të biem në nivelin e ulët të veprimeve ultra-nacionaliste serbe sepse kemi një identitet dhe karakter tonë, kemi një epërsi morale të shquar përballë tyre. Nuk është rastësi që në luftën tonë na u bënë mbështetës vendet më demokratike të botës. E kjo falë epërsisë sonë morale dhe luftës sonë të drejtë i bëmë për vete këta aleatë”, ka thënë Thaçi.