Festivali i Blerjeve në Alibaba, rekord shitjesh prej 25 miliardë dollarësh

E publikuar: 13/11/2017 11:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dita e Blerjeve në Alibaba Group Holding Ltd, në datë 11 nëntor, krijoi një rekord  shitjesh prej 168.2 miliardë juanë (25.3 miliardë dollarë), pasi gjiganti i e-commerce punoi me shitësit tradicionalë, në tregun e skontuar.

Për të nisur ditën e uljeve, kompania kineze priti gjithashtu personazhe VIP të filmit botëror, si Nicole Kidman dhe reperin amerikan Pharrell Williams. Kryeshefi ekzekutiv Daniel Zhang tha se kompania dëshiron ta bëjë ngjarjen më globale dhe po planifikon të organizojë një festë gala jashtë shtetit, pa dhënë një afat.
Krahasuar me vitin e shkuar, shitjet shënuan një rritje prej 39 për qind, duke tejkaluar vlerësimet e Citigroup Inc. dhe duke sfiduar shqetësimet e një ngadalësimi ekonomik. Ngjarja ndihmoi të rrisin fitimet për të paktën 82 lloje, si: Nike Inc., Xiaomi Corp dhe Uniqlo Co.

“Ne duam të bëjmë Ditën e Blerjeve të 11 nëntorit një ngjarje globale”, tha Zhang në një intervistë në Shangai.

Rreth 90 për qind e transaksioneve janë bërë nëpërmjet celularit. Në kulmin e saj, përpunuesit e kompanisë trajtuan 256,000 transaksione për sekondë.

Citigroup Inc. ka parashikuar se transaksionet do të rriten me më shumë se 30 për qind në 158 miliardë juanë këtë vit. Ndërkohë që kjo është vetëm gjysma e ritmit të rritjes vitin e kaluar, ngjarja vazhdon të lërë pas Black Friday dhe Cyber Monday, dy ditë të tjera të famshme botërore për ulje në artikuj të ndryshëm.

Themeluesi miliarder, Jack Ma, është duke e përdorur këtë ngjarje si një terren testimi për planet e tij për të rindërtuar sektorin teknologjik me pakicë në Kinë me 4 trilionë dollarë, një eksperiment që mund të ndihmojë të fitojë një avantazh në tregun e ngopur të Kinës. /Monitor