Festat e fundvitit shtojnë pritjet nëpër kufijtë e Kosovës

E publikuar: 23/12/2018 08:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm janë regjistruar pritje të gjata në pikat kufitare mes Kosovës e Serbisë. Pritjet më të gjata, si rëndom, janë në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë.

Siç njofton Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar, pritjet më të gjata janë në pikëkalimin kufitar Merdar.

Në këtë pikë, në këto momente, pritjet për të hyrë në Kosovë janë 70 deri në 90 minuta, ndërsa gjatësia e kolonës së automjeteve deri në 300 metra. Në orët e hershme të mëngjesit, pritjet ishin dhe më të gjata.

Policia e Kosovës, ndonëse ka apeluar që kjo pikë kufitare të shmanget nga bashkatdhetarët, këta zgjedhin kryesisht këtë pikë pasi është rrugë më e shkurtër për ta, pavarësisht pritjeve të gjata.

Ndërkaq, për të hyrë në territorin e Serbisë nga kjo pikë kufitare, pritjet janë 3 deri në 5 minuta.

Pritje për të hyrë në Kosovë ka edhe në pikën kufitare tjetër me Serbinë, Dheu i Bardhë, ku pritet deri 30 deri në 40 minuta me kolona jo fort të gjata, deri në 40 metra.

Ndërkaq, gjendja e rrugëve kufitare, sipas kësaj Qendre, është e mirë, pa ngrica e mjegull, përpos rrugëve Prishtinë-Mutivodë dhe Podujevë – Merdarë ku raportohet për ngrica në rrugë./koha.net