Ferronikeli ndal hapin kryesues në Gjilan

E publikuar: 02/05/2015 17:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ferronikeli hedh një hap fals në transfertën e Gjilanit kundër Dritës duke komplikuar situatën. Skuadra nga Drenasi u mposht nga një gol i Limanit në pjesën e dytë, duke i dhënë mundësinë Besës t’i afrohet me vetëm një pikë në klasifikim nëse ekipi nga Peja arrin të fitojë në transfertën e Mitrovicës kundër Trepçës. Gjatë 45 minutëshit të parë dy skuadrat e ngacmuan shumë pak njëra-tjetrën duke studiuar ndeshjen për të ndërtuar strategjinë. Ishte Mensur Limani ai që tentoi disa herë nga kufijtë e zonës së rreptësisë por Drita nuk arriti ta gjente golin gjatë 45 minutave të para. Në fraksionit të dytë, vendasit e shtuan ritmin duke e zhvendosur lojën në gjysmëfushën kundërshtare. Në të 49-ën Osmani pati një rast të artë në këmbët e tij ndërsa 7 minuta më pas Kelmendi kishte mundësinë e golit të parë por penalltia në lëvizje e lojtarit të Dritës u ekzekutua në mënyrën më të keqe të mundshme.

Ishte Mensur Limani lojtari më aktiv i bluve dhe në të 60-ën sulmuesi pretendoi për një 11 metërsh por gjyqtari nuk akordoi asgjë. 3 minuta më pas Kastrati nuk mundi të devijonte saktë një top në lëvizje ndërsa në të 66-ën Limani tentoi nga jashtë zonës por topi u bllokua nga portieri Koçi. Rastin e parë për këtë pjesë Ferronikeli e regjistroi në minutën 69 por Demaku bëri një gabim pothuajse amator edhe pse pasimi i Livorekës ishte perfekt. 2 minuta më pas Ramushi devijoi keq me kokë një krosim nga e djathta por Limani zhbllokoi sfidën pak minuta më pas me një të djathtë të saktë që u ndal në rrjetë. Minutat deri në fund nuk ndryshuan asgjë në rezultat dhe Drita arrin të marrë një 3 pikësh që e mban me shpresë mbijetese pasi ngjitet në kuotën 25, 3 më pak se Vëllazënimi i vendit të tetë./supersport.al/