Fermeri nga Batllava akuzon Ministrinë se s’po i jep më grant pasi e denoncoi për mashtrim

E publikuar: 24/09/2018 00:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fermeri Nexhmi Hyseni nga Batllava e Podujevës, njëherësh prodhues i qumështit, po e akuzon Ministrinë e Bujqësisë se qëllimshëm ia ka refuzuar kërkesën për përfitimin e një granti në vlerë prej rreth 98 mijë eurosh.
Sipas Nexhmi Hysenit, kjo ka ndodhur vetëm se nuk e ka paguar zyrtarin e Ministrisë për t’ia përpunuar atij planin biznesor.

Hyseni e kishte fituar një grand vite më parë, por e denoncoi Ministrinë e Bujqësisë se kishte mashtruar me çmime. Sipas tij, traktorit që kushtonte 27 mijë uro, Ministria ia kishte vënë çmimin 40 mijë e 500 euro.

Pasi e fitoi gjyqin ndaj Ministrisë, ai është futur në listë të zezë dhe Ministria nuk po i jep më grant. Për këtë, ai akuzon rëndë ish-ministrat Blerandin Stavileci dhe Memli Krasniqi.

Stavileci nuk është përgjigjur në pyetjet e KTV, rreth akuzave që po ia bën fermeri Hyseni, ndërsa ish-ministri Krasniqi në një përgjigje elektronike ka thënë se çfarëdo komenti është i tepërt për gjërat e paligjshme.

Ndërkaq, Hyseni tutje thotë se përveç shumë padrejtësive për të aplikuar për grant, Ministria e Bujqësisë ka vënë kritere që vështirë janë të zbatueshme nga fermerët.