Fëmijët nuk u verbuan me qëllim

E publikuar: 11/02/2016 08:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri kosovar i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ka pranuar se mund të ketë ngecje gjatë diagnostikimit të sëmundjes së retinopatisë, që për pasojë ka verbimin. Ai ka thënë se nëse vërtetohet neglizhenca dhe lëshimi që ka mundur të evitohet, atëherë nuk është kundër ndjekjes së individëve.

Në zyrën e tij, në ish-objektin e Spitalit të Mushkërive në Prishtinë, ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, në një intervistë për “Zërin” ka pranuar se në rastin e neonatologjisë mund të ketë ngecje në mosdiagnostikim të saktë të retinopatisë premature dhe si pasojë edhe verbimin e fëmijëve.

“Por, unë them që kjo nuk është bërë me asnjë qëllim”, është shprehur ministri i Shëndetësisë kosovare, Imet Rrahmani, i cili tashmë ka kërkuar të dhëna për rastet nga Klinika e Neonatologjisë.

Rrahmani po ashtu ka folur për rastin “Stentat”, duke potencuar se nuk ka ndërhyrë asnjëherë në drejtësi.

Ministri i Shëndetësisë është shprehur se nuk e ka lexuar hulumtimin për verbimin e foshnjave në neonatologji, megjithatë ka thënë se nuk i ka pëlqyer titulli i vendosur në atë hulumtim – “Klinika ku verbërohen fëmijët”.

Ka thënë po ashtu se gazetarët nuk kanë gabuar që kanë publikuar emrat e të dyshuarve në rastin “Stentat”, por gabim kanë bërë ata që këta emra ua kanë dhënë mediave.

Sipas tij, publikimi i emrave para publikut duhet bërë vetëm atëherë kur vërtetohet fajësia.

I pari i shëndetësisë kosovare derisa ka folur për statistikat e verbimeve të fëmijëve në Amerikë si pasojë e retinopatisë, ka thënë se në Kosovë nuk kanë statistika për numrin e të verbuarve nga retinopatia. /Zëri/