Fëmijët e ardhur nga Durrësi do të mund të vazhdojnë mësimin në shkolla të Kosovës

E publikuar: 02/12/2019 19:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përveç hapjes së shtëpive, kampeve dhe ndihmave materiale, Kosova do të hapë edhe shkollat për fëmijët e larguar nga Shqipëria në mënyrë që ata të mos humbin mësimin.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se shkollat e Prishtinës janë të hapura për të gjithë fëmijët e larguar nga Shqipëria për shkak të tërmetit, dhe të strehuar në Prishtinë.

Ai ka shkruar në Facebook se së shpejti, Drejtoria e Arsimit do të tregojë detajet e lajmërimit, sistemimit dhe inkuadrimit të fëmijëve që mos të humbin orë mësimi.

Shkollat në Shqipëri, në rajonet e prekura më shumë nga tërmeti do të qëndrojnë të mbyllura të paktën deri më 9 dhjetor ndërsa në qarqet përreth, përfshirë Tiranën, ato do të hapen më 5 dhjetor.
Ndërkohë, autoritetet kosovare nuk kanë ende një shifër të saktë se sa qytetarë shqiptarë të prekur nga tërmeti kanë hyrë në Kosovë, por vetëm në qytetin e Prizrenit llogariten më shumë se 2 mijë, prej të cilëve 500 në kampin inovativ trajnues kosovaro-gjerman dhe 1500 të tjerë në shtëpitë e prizrenasve.