Fëmijët boshnjakë në Siri shfaqin pasigurinë në vizatimet e tyre

E publikuar: 23/07/2019 19:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fëmijët, të cilët nuk kanë kujtime nga shtëpitë e tyre, pasi që nuk kanë qenë fare aty, i vizatojnë ato, gjithashtu edhe diellin dhe retë. Ata vizatojnë sigurinë, të cilën nuk e kanë.

Gjashtëdhjetë fëmijë nga Bosnja dhe Hercegovina jetojnë në dy kampe në Siri. Gjysma e tyre janë më të rinj se gjashtë vjeç dhe kanë lindur në këtë vend. Siria ishte zgjedhja e prindërve të tyre, të cilët kryesisht në këtë vend shkuan të jetojnë në territorin e të ashtuquajturit Shteti Islamik.

Pas disfatës në territoret e kësaj organizate terroriste, fëmijët dhe nënat e tyre u vendosën në kampe të udhëhequra nga administrata kurde me ndihmën e koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rreth 65 për qind të popullsisë që gjendet në kampin Al-Hol e përbëjnë fëmijët. Më shumë se 7000 janë fëmijë të luftëtarëve të ashtuquajturit Shteti Islamik.

Pesë fëmijë nga Bosnja dhe Hercegovina janë pa të dy prindërit. Ky numër mund të jetë më i madh, për shkak se nuk ka të dhëna zyrtare. Edhe fëmijët të cilët janë me nënat e tyre, jetojnë në vështirësi të mëdha në këtë kamp, e sidomos ata të cilët janë të lënduar apo të sëmurë, të cilët kanë nevojë për mjekim.

Sidoqoftë, këta fëmijë, të cilët nuk kanë kujtime për shtëpitë e tyre, për shkak se disa nga ta nuk kanë pasur kurrë shtëpi, i vizatojnë ato.

Një vajzë nga Bosnja që gjendet në kampin Roj ka ndërtuar një shtëpi për zogjtë, si simbol të sigurisë dhe lirisë së familjes. Për gati dy vjet, shtëpia e saj është një tendë në të cilën ajo jeton në temperatura ose shumë të ftohta ose shumë të nxehta. Ushqim ka shumë pak. Ajo, vëllai dhe motra e saj, flenë në tokë. Por, zogjve ajo u ka ndërtuar një shtëpi.

Një vajzë që gjendet në kampin Ro ka vizatuar një shtëpi për zogj.

Një vajzë që gjendet në kampin Ro ka vizatuar një shtëpi për zogj.

Nëna e saj është e sëmurë rëndë dhe gati çdo ditë merr terapi të ndryshme. Për shkak të cistave (tumoreve) në kokë, ajo ka nevojë të operohet urgjentisht.

Në të njëjtin kamp, një djalosh ka vizatuar një shtëpi me çati të kuqe, një dru të gjatë dhe diellin me përmasa të mëdha si dhe qiellin e kaltër. Ai më siguri ka vizatuar një skenë të cilën edhe nëse e ka parë, nuk i kujtohet dhe aq mirë, por për të cilën i ka folur nëna e tij, e cila është 22-vjeçare dhe është nga Sarajeva. Krejt kjo, për shkak se shtëpitë në Siri nuk duken ashtu, e ky djalë katërvjeçar gjendet në kamp që dy vjet.

Vizatimi i një djali, prindërit e të cilit janë nga Bosnja.

Vizatimi i një djali, prindërit e të cilit janë nga Bosnja.

Fëmijët boshnjakë që po qëndrojnë në kampe, vizatojnë sistemin diellor, vullkanet. Ata gjithashtu shkruajnë mesazhe për familjet e tyre në Bosnjë.

Disa nga ta kanë vizatuar edhe gjërat që i shohin çdo ditë, tendat.

Vizatimi i tendave.

Vizatimi i tendave.

Irfanka Pashagiq, psikiatre e cila merret me vizatimet e fëmijëve refugjatë nga Srebrenica dhe zonat përreth ka thënë për Radion Evropa e Lirë se fëmijët me anë të vizatimit tregojnë për përjetimet e tyre.

“Vizatimi është një mjet shumë i rëndësishëm për të ndihmuar në diagnostifikim. Është gjithashtu i rëndësishëm në procesin e terapisë dhe ndonjëherë është e vetmja mënyrë në të cilën fëmijët mund të tregojnë historitë e tyre të frikshme,” ka thënë Pashagiq.

Edhe fëmijët nga Bosnja si dhe ata nga Siria u janë nënshtruar testeve psikiatrike, bën të ditur psikiatria Pashagiq.

“Unë duhet të them se vizatimet e fëmijëve nga Siria më ngjajnë me vizatimet e fëmijëve nga Srebrenica. Në çdo imazh shihen shtëpi, por jo njerëz ose kafshë, pra janë të zbrazura. Vizatimet janë të vdekura”, thotë Pashagiq.

“Kur këta fëmijë të kthehen në vendin e tyre, gjëja e parë që duhet bërë është që t’u sigurohet një ambient i qetë për shkak se disa nga ta janë të shqetësuar. Shumica e familjeve të këtyre fëmijëve dëshirojnë të kthehen në shtetin e tyre, ku mund të ndjehen të mirëseardhur, ku ndjehen të sigurt”, shton Pashagiq.

Një fëmijë që gjendet në kampin Roj, ka vizatuar dorën e tij dhe ka shkruar një letër në gjuhën boshnjake.

Një fëmijë që gjendet në kampin Roj, ka vizatuar dorën e tij dhe ka shkruar një letër në gjuhën boshnjake.

Shumë fëmijë në këto kampe janë të lënduar rëndë ose të sëmurë rëndë dhe pavarësisht kësaj, ata ende presin kthimin në vendin e tyre.

Në Siri, gjatë çlirimit të territorit të fundit të IS-it është plagosur Ismail H., i cili është nga Bosnje dhe Hercegovina.

Ismaili është 16-vjeçar dhe aktualisht gjendet në burg në Roje, ku është transferuar nga kampi Al-Hol. Nëna e tij Qazima H. po qëndron në kampin Al-Hol së bashku me tre fëmijët e tjerë. Sipas informatave të Radios Evropa e Lirë, Ismaili ka nevojë për trajtim mjekësorë për shkak se është i lënduar rëndë. Nga burgu ai i është lajmëruar nënës së tij vetëm një herë. Ndërsa, babai i tij jeton në Bosnje dhe Hercegovinë.

Në kampin Al-Hol gjendet edhe një vajzë me emrin Iman, e cila është djegur në fytyrë, në qytetin Baguz gjatë luftimeve, ku ajo ka humbur edhe nënën dhe vëllanë e saj të vogël.

Gjyshja e Imanës, Samra nga Sarajeva, ka shumë pak informacion për mbesën e saj. Ministria e Sigurisë së Bosnjë dhe Hercegovinës ka thënë për Radion Evropa e Lirë se është në dijeni për fëmijët që gjenden në kampe të cilët nuk e kanë asnjërin prind dhe se po punohet në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare dhe partnerët për kthimin e tyre.

Sipas Kombeve të Bashkuara më shumë se 200 fëmijë vdiqën në kampin Al-Hol.

Nga Ministria e Sigurisë së Bosnjë dhe Hercegovinës, bëjnë të ditur se procesi i kthimit të shtetasve boshnjak nga zonat e luftës është në fazën e procedimit.

Përgatiti: Donika Alihajdaraj