Fejk, fejk, fejk…

E publikuar: 12/08/2018 08:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ai që vazhdimisht ka hedhur në opinion deklarata e premtime të rreme duke e demantuar shpesh edhe veten, ka drejtuar gishtin kah mediat se po shpërndajnë “fejk njuz”.

“Janë opinione tuaja (shkëmbimi i territoreve), të cilat për herë të parë prej juve si medium po i dëgjoj dhe për mua paraqet fejk njuz, fejk njuz, fejk njuz… rrenë e kulluar”, ka thënë Thaçi në njërën prej konferencave të shpeshtuara kohët e fundit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Por Zyra e Presidencës disa ditë para mbajtjes së konferencës kishte injoruar pyetjet e gazetës, duke mos ofruar asnjë përgjigje.

Këtë epitet Thaçi ua ka atribuuar të gjithë atyre që pyesin për mundësinë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës e Serbisë, ide kjo e hedhur nga vetë ai.

Thaçi në asnjë rast nuk e ka mohuar ose pohuar se ky mund të jetë ai kompromisi me Serbinë. Thaçi është i njohur për premtimet e papërmbushura: liberalizimi i vizave, themelimi i ushtrisë së Kosovës, zhvillimi i hovshëm ekonomik, miratimi pastaj tentim- zhbërja e Gjykatës Speciale, reforma zgjedhore, dekriminalizimi i politikës – janë vetëm disa prej premtimeve të tij që ende nuk janë realizuar…