FBK dhe KB Rahoveci shpresojnë se arena “Mizahir Isma” do të jetë gati për Final 8 të Kupës së Kosovës

E publikuar: 02/02/2019 15:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) vendosi që këtë sezon të riformatojë garën e Kupës së Kosovës, duke e zgjeruar atë dhe duke e bërë me tetë ekipe në një turne që zgjat disa ditë.

Për të realizuar këtë ide të guximshëm, FBK mori edhe një vendim të guximshëm – organizimin e Final 8 të Kupës së Kosovës ja besoi KB Rahovecit, klubit që ka befasuar të gjithë me paraqitjet në Superligën e basketbollit – pa palestër.

Arena “Mizahir Isma” filloi të ndërtohej 12 vjet më parë, Foto: Telegrafi

KB Rahoveci aplikoi për organizimin e kësaj ngjarje të rëndësishme sportive edhe pse palestra ishte në finalizim e sipër, 12 vjet prej se u vunë themelet, duke qenë një simbol i neglizhencës në një prej qyteteve me më së paku investime, por ku sporti vazhdon të jetë i gjallë, sidomos, sporti i basketbollit.

Foto: Telegrafi

Teksa punimet po vazhdojnë, është e pashmangshme lufta me kohën. Kompania e kontraktuar për finalizimin e punimeve, EuroIng, ka vënë në dispozicion gjithë kapacitetin e punës për të përfunduar punimet me kohë.

Paisjet sportive sipas standardeve të FIBA-s tashmë janë blerë dhe pritet të vendosen po sa të shtrohet parketi, i cili është duke u shtruar, teksa ngrohja dhe ndriçimi tashmë kanë përfunduar.

Zyrtarë të FBK-së u pritën nga drejtuesit e klubit organizator ku u njoftuan për rrjedhën e punimeve. Foto: Telegrafi

Për të vijuar tempin e punimeve në këtë palestër, prezent në Rahovec gjatë të shtunës ishin zyrtarë të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), të cilët shpresojnë se palestra do t’ia dalë të jetë gati për garën më të madhe të basketbollit në vend.

“Sot kemi ardhur për një vizitë në mbështetje të klubit të Rahovecit. Këtu po shihet se është bërë një punë mbreslënëse. Kjo palestër do të shfrytëzohët edhe për eventet e Federatës në kuadër të FIBA-s”.

Inspektimi final është më 20 shkurt, kur do të vendoset nëse Final 8 mund të mbahet në arenën “Mizahir Isma”. Foto: Telegrafi

“Jemi të bindur se punimet do të përfundohen deri në afatin e caktuar”, u shpreh Elvira Dushku, sekretare e FBK-së.

Se Rahoveci është gati për një mirëpritje, e konfirmoi kryetari i klubit organizator, Bekim Hoxha.

“Shpresoj se punimet do të përfundojnë me kohë. Në kët garë të Final 8 ju premtoj se do të ketë spektakël. Tifozët i thërras të vijnë në numër të madh. Ju premtoj se do të mirëpriten ashtu si duhet, siç dinë qytetarët e Rahovecit”, deklaroi kryetari i KB Rahovecit, Bekim Hoxha.

Parketi ka filluar të shtrohet… Foto: Telegrafi

Punimet po vazhdojnë me ritëm intensiv dhe më 20 shkurt është inspektimi i fundit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) bashkë me FBK-në, ku edhe do të jepet vlerësimi final nëse palestra është gati për këtë organizim të madh të basketbollit apo jo.

Palestra në Rahovec filloi të ndërtohej në vitin 2007, para plot 12 vitesh dhe në vend të një objekti sportiv, ishte objekt me të cilin është bërë fushatë politike në mesin e premtimeve për përfundim të saj. Palestra ka plan modern dhe pritet të jetë arena më e madhe në vend me kapacitet prej mbi tre mijë shikuesish me tribuna në të katër anët.

Pamja e bukur e arenës së Rahovecit ka filluar të kompletohet, Foto: Telegrafi

Aktualisht KB Rahoveci është në vitin e tretë në Superligën e Kosovës dhe pa palestër, gjithmonë si mysafir, vitin e kaluar arriti playoffin dhe sivjet është në top tre klubet më të mira në vend. /Telegrafi/