FBK aprovon idenë e KB Rahovecit, për herë të parë gara e kupës do të ketë medalje të bronztë

E publikuar: 08/02/2019 14:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka aprovuar idenë e KB Rahovecit që gara e kupës, Final 8 e Kupës së Kosovës, të ketë edhe medaljen e bronztë.

Ishte klubi nga qyteti i rrushit që pati të aprovuar kërkesën e organizimit të Final 8 të Kupës së Kosovës, teksa palestra po shkon drejt përfundimit.

Teksa Rahovci po bëhet gati për një organizim madhështor, një ide e klubit për të inkuadruar në garën e Kupës së Kosovës edhe medaljen e bronztë, është mirëpritur.

Sipas një komunikate në faqen zyrtare të klubit të Rahovecit, Euroing Kupa e Kosovës 2019 do të ketë fitues të vendit të tretë që do të fitojë medaljen e bronztë. Këtë sfidë do ta zhvillojnë skuadrat që humbin në gjysmëfinale.

Kjo do të jetë hera e parë që kjo garë do të ketë medalje të bronztë.

Sfida për vendin e tretë zhvillohet të shtunën më 2 mars në ora 19:00.

Euroing Kupa e Kosovës 2019 zhvillohet nga data 27 shkurt deri më 3 mars. /Telegrafi/