Fatmir Limaj paralajmëron se nuk do të heshtë

E publikuar: 29/03/2015 16:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kreu i NISMA-së për Kosovën, Fatmir Limaj, është i zhgënjyer me drejtësinë në Kosovë. Po thotë se është e ndikuar nga politika dhe se drejtësia në Kosovë gjendet para një rrënimi të plotë nëse vazhdohet me logjikën e deritashme.
Në një intervistë për KosovaPress, Fatmir Limaj, thotë se kjo është shumë shqetësuese dhe alarmante, madje habitet se si Ministria e Drejtësisë po rri e heshtur ndaj gjithë asaj që po ndodh në sistemin e drejtësisë si në gjykata por edhe në Këshillin Prokurorial.

Limaj po ashtu shprehet i habitur se si njerëzit të cilët janë në krye të mbrojtjes së ligjshmërisë, dhe nga të cilët pritet që të zbatojnë ligjin dhe të ndihmojnë në konsolidimin e shtetit ligjor e demokratik në këtë vend heshtin përballë tërë kësaj.

Duke folur për siç thotë ai, skandalin e fundit të rastit ‘Kleçka’ thotë se duhet parë në prizmin e përgjithshëm e jo si një rast individual.

Këtu, Limaj thotë se duhet patjetër që të hapet një mundësi për të hetuar në tërësi gjitha faktet e prezantuara në media me qëllim që të vijë deri tek e vërteta e cila para se gjithash, sipas tij do t’i shërbente sistemit të drejtësisë edhe ashtu të dëmtuar shumë dhe do të jepte një pasqyrë të qartë se çfarë në të vërtetë ka ndodhur.

Limaj thotë se nuk do të heshtë përderisa thotë se duhet të lirohet nga bandat të cilët nuk ja duan të mirën vendit.

“Shteti i Kosovës është kapur nga para politika dhe nga bandat të cilat duhet të lirohet dhe ky shtet nuk mund të çlirohet vet nga njerëzit të cilët nuk kanë vullnet ta luftojnë para politikën dhe bandat, prandaj duhet gjithë ne si qytetarë dhe shoqëri të alarmohemi, të organizohemi, të kundërshtojmë në njërën anë këtë kapje të shtetit dhe në anën tjetër t’i mbrojmë gjithë ata që janë të interesuar dhe po luftojnë që ta bëjnë çkapjen e shtetit nga këto banda dhe parapolitika”, ka thënë Limaj.

Por e gjithë kjo nuk do ta ndalë të parin e NISMA-së që të kërkoj që sa më shpejt të ndriçohet i tërë rasti pasi sipas tij tendenca për ta heshtur rastin është tendencë për të fshehur të vërtetën dhe fshehja e pretendimeve dhe fakteve e dëmton drejtësinë në këtë vend dhe shkel të drejtat e njeriut të garantuara me kushtetutë por shkel edhe barazinë para ligjit dhe këto do të dëmtojnë në tërësi besimin në sistemin e drejtësisë.

Deklaratat e dhëna nga zyrtarët e ndryshëm për këtë rast, Limaj i cilëson si të ngutshme pasi përmes tyre ata po vijnë në përfundim nëse ka apo s’ka fakte pa bërë ndonjë hetim, dhe këtu Limaj ngrit dilemën se në çka bazohen kur vijnë në përfundime të tilla përderisa nuk është bërë hetimi dhe thotë se kjo është në shpërputhje me atë që do duhej të ndodhte.

Limaj thotë se së pari duhet të ndodh hetimi i gjithanshëm për pretendimet dhe dyshimet e këtij skandali dhe në fund nga hetimet të vijë edhe rezultati dhe ndriçimi i së vërtetës dhe tek pastaj mund të flitet se ka pasur apo s’ka pasur fakte

“Këtë nuk duhet parë si rast i izoluar se në qoftë se një gjë e tillë ka ndodhur siç është publikuar në gazetë ky është skandal i përmasave të jashtëzakonshme, ky është në shpërputhje të plotë me misionin tonë të përbashkët për ta ndërtuar një shtet ligjor dhe mbi të gjitha kjo është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, me konventat evropiane”, ka theksuar ai.

Tutje gjithnjë duke folur për rastin, Limaj thotë se kanë dalë para një paneli gjyqësor i cili kishte qenë i ndërtuar paligjshëm, dhe ju kanë dorëzuar sistemit të drejtësisë duke besuar në të, ndërsa i njëjti sipas tij nuk ka funksionuar

“Dhe ai sistem i drejtësisë po na fsheh diçka dhe ne kërkojmë në emër të drejtësisë, në emër të mbrojtjes së ligjit dhe kushtetutës që ai sistem jo të fsheh por të zbardh deri në fund ato që kanë ndodhur”, ka nënvizuar ai, raporton gazeta blic.

Por, Limaj ka thënë se mbetët për tu parë nëse do të dëgjohet dhe respektohet kërkesa e tyre nga të tjerët, por një gjë tha se është e sigurt se nuk do të heshtin, madje ata të cilët tentojnë që ta heshtin këtë rast gabohen shumë, pasi Limaj thotë se kjo çështje është aq e madhe saqë nuk mund të heshtet.