Familja e Rugovës dhe Haradinaj nuk po ndahen kurrsesi, edhe një takim tjetër

E publikuar: 30/01/2018 19:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Familja e ish-Presidentit ka raporte aq të shkëlqyera me kryeministrin Ramush Haradinajn, sa që bëjnë vizita në zyrën e tij, edhe kur nuk ka ndonjë manifestim apo ditë të veçantë. Kështu, vetëm për gjashtë muajt e fundit, familja Rugova dhe Haradinaj janë takuar 4 herë.
Sot kryeministri Ramush Haradinaj ka publikuar një fotografi në Facebook, ku shihet t’i ketë pritur dy djemtë e ish-presidentit me bashkëshortet e tyre në zyrën e tij.

“Bashkëpunimi dhe respekti i ndërsjellë me familjen Rugova, i vendosur në kohëra të vështira për vendin, ka vazhduar deri në ditët e sotme. Familjet emblematike do të mbështeten në mënyrë institucionale dhe në vazhdimësi, sepse në këtë mënyrë nderojmë Republikën e Kosovës”, ka shkruar kryeministri Haradinaj.

Hera e fundit kur kryeministri Haradinaj u takua me familjen Rugova nuk është shumë larg. Vetëm para nëntë ditëve, me rastin e 12 vjetorit të vdekjes së ish-Presidentit Rugova, Haradinaj, pas vizitës të varri i tij, kishte shkuar edhe në rezidencën e familjes në Velani.

Familjen Rugova Haradinaj e kishte vizituar edhe për ditëlindjen e Rugovës më 2 dhjetor.

Ndërsa Haradinaj për vizitë i shkonte kësaj familjeje edhe kur ishte e zënë ngushtë për punën e krijimit të qeverisë.

Më 21 korrik të vitit që lamë pas, kryeministri i tanishëm, atëherë kandidat, kishte lëshuar komunikatë në të cilën kishte treguar se kishte marrë bekimin prej familjes Rugova për t’u bërë kryeministër.

Haradinaj po thirrej se të njëjtën mbështetje që ia kishte dhënë vetë Rugova për t’u bërë kryeministër në vitin 2004, tani po ia jepte familja e tij.

Mirëpo vetëm përkrahja morale e pasardhësve të Rugovës nuk po i mjaftonte. Zhurmë të madhe bëri edhe mundësia që kjo përkrahje të kapitalizohej në votën e deputetes Teuta Rugova për t’ia bërë shumicën Haradinajt, që atëkohë po i duhej vota e 61’të. Ose, edhe që djali i ish-presidentit, Ukë Rugova, të ishte pjesë e marrëveshjeve.

Tani që Haradinaj është kryeministër, takimet me familjen në fjalë nuk i ka reduktuar. Ai sot i priti në zyrën e tij, duke shënuar kështu ishte i katërt me radhë brenda një periudhe prej 6 muajve. /Express/