Fajtor vetëm për “shpërdorim detyre”, Tahiri dënohet me 3 vite shërbim prove

E publikuar: 19/09/2019 22:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata e Krimeve të Rënda ka marrë vendimin për Saimir Tahirin. Ish-ministri nuk shkon në burg, por do të jetë për 3 vite në shërbim prove.

Gjykata ka rikualifikuar akuzën në “shpërdorim të detyrës”, duke e dënuar Saimir Tahirin me 5 vite heqje lirie, por ky vendim është konvertuar në shërbim prove për 3 vite.

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi 12 vite burg për Tahirin, por me gjykim të shkurtuar kërkesa përfundimtare shkoi në 8 vite. Prokuroria e akuzoi ish-ministrin për tre vepra penale: “trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, “grup i strukturuar kriminal”.

Gjithsesi, këto tre akuza nuk u pranuan nga tre gjykatësit, të cilët e dënuan Tahirin për “shpërdorim prove”, akuzë që nuk ishte bërë nga Prokuroria.

Tahirit i është ndaluar gjithashtu për tre vite marrja e posteve publike.

Lexho edhe:

Fjalët e para të Saimir Tahirit: Gjykata tha se nuk jam kriminel

“Më jepni kohë që ta përtyp këtë estradë që ndodhi”, këto ishin fjalët e para të Saimir Tahirit pas daljes nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

“Gjykata tha nuk jam kriminel, nuk jam trafikant, nuk jam pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, por meqë me disa kushërinj kemi përdorur një makinë, jam shpallur fajtor për shpërdorim detyre”, tha ish-ministri i Brendshëm.

Tahiri e konsideroi disa herë si absurd vendimin e dhënë sot nga Gjykata, ku ai u dënua me 3 vite shërbim prove vetëm për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Ai paralajmëroi se do e apelojë edhe këtë vendim.

Ish-ministri theksoi se nesër do të ketë një dalje më të gjatë për mediat.

Top Channel