Tanja Fajon: Pse vetëm Kosovës iu vu demarkacioni kusht për vizat

E publikuar: 26/05/2016 19:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot në Parlamentin Evropian, në Komisionin për Liri qytetare, Drejtësi dhe Punë të Brendshme, është zhvilluar debati i parë për rekomandimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në këtë seancë nga Komisioni Evropian është paraqitur propozimi dhe arsyetimi nga ana e përfaqësuesve të Komisionit Evropian e më pas deputetja Tanja Fajon, e caktuar të jetë Raportuese për liberalizimin e vizave për Kosovën, që do të nisë draftimin e raportit i cili do të futet në procedurat parlamentare ka folur për çështjen e demarkacionit, transmeton Koha.net.

Me këtë rast Tanja Fajon përmes një komunikate për media ka përshëndetur propozimin e Komisionit Evropian dhe ka thënë se heqja e vizave, jo vetëm se do të ndihmojë lëvizjen e lirë, kontaktet mes njerëzve dhe biznesin, por do t’ua heqë biznesit edhe kriminelët.

Tanja Fajon ka vënë në dyshim dhe ka kërkuar nga Komisioni Evropian të sqarojë se si u vë kusht për liberalizimin e vizave demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, ndërkohë që vendet tjera nuk kanë pasur kushte të natyrës së tillë.

“Kam një koment apo një ide për të menduar për Komisionin. Do të doja ta vë në një perspektivë më të gjerë në konsiderim kushtet dhe kërkesat që vendet duhet të përmbushin në mënyrë që t’u jepet lëvizja e lirë pa viza”, ka thënë Fajon, duke shtuar se në vendosjen e kritereve të tilla nuk ka pasur konsistencë.

“Pyetja lindë si i vendosë Komisioni kriteret për secilin shtet të tretë dhe në çfarë baze. Si mundet një Marrëveshje për caktimin e kufirit me Malin e Zi të kërkohet nga Kosova, por një gjë e tillë nuk ishte kërkuar nga Mali i Zi apo nga cili do shtet tjetër i rajonit të Ballkanit si pjesë e dialogut të liberalizimit të vizave”, ka thënë Fajon duke pohuar se ajo gjithsesi do të punojë në gjetjen e një zgjidhje të duhur dhe të qëndrueshme për të gjitha palët në proces.