Facebook vë në shënjestër nacionalizimin e bardhë

E publikuar: 28/03/2019 20:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rrjeti më i madh social në botë, Facebook, tha se do të bllokojë “lavdërimin, mbështetjen dhe përfaqësimin e nacionalizmit të bardhë dhe separatizmit”, nisur nga java e ardhshme.

Facebook po ashtu u zotua se do të përmirësojë aftësitë e tij për të identifikuar dhe bllokuar materialet nga grupet terroriste.

Rrjeti social është nën presion, qëkur një person i armatosur transmetoi drejtpërdrejt në Facebook sulmet e tij në dy xhamitë Zelandës së Re, më 15 mars.

Australiani Brenton Tarrant, 28 vjeç, i vetëpërshkruar si supremacist i bardhë, u akuzua për vrasjen e 50 personave në dy xhamitë e qytetit Kristçërç.

Pas këtyre sulmeve, disa udhëheqës botërorë u kanë bërë thirrje kompanive të mediave sociale që të marrin më shumë përgjegjësi për materialin ekstremist, të postuar në platformat e tyre.

Në përgjigje, Facebook tha se ka shtuar ekipet e tij të monitorimit të përmbajtjes dhe se ka hequr tashmë faqet që janë përdorur për të promovuar dhe organizuar mitingje nga grupet e supremacistëve të bardhë.

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, e cila u ka bërë thirrje përfaqësuesve të mediave sociale që të jenë përgjegjës për atë që përdoruesit postojnë, tha se e mirëpret vendimin e ri të Facebook-ut.

“Ka mësime që duhet të mësohen nga Kristçërç”, tha Ardern. /REL