Facebook penalizon postimet të cilat kërkojnë pëlqime, komente dhe shpërndarje

E publikuar: 24/12/2017 02:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përpjekjet e Facebook për të pastruar faqen e parë të rrjetit social të ashtuquajtur “News Feed,” vijuan ditën e sotme kur tha se do të ndëshkonte faqet dhe individët të cilët kërkojnë pëlqime, shpërndarje, komente, vota dhe etiketime.

Këto lloj postimesh do të “fundosen” nga algoritmi i Facebook me kalimin e kohës ndërsa kompania do të grumbullojë informacion rreth atyre që përsërisin një veprime të tillë.

E jo vetëm postimet, por edhe faqet do ta pësojnë. Në një publikim, zëdhënësit e Facebook shpjegonin se postime të tilla cenojnë autenticitetin e “News Feed,” si një vlerë qendrore e faqes së parë me të cilën ballafaqohen përdoruesit sapo qasen në rrjetin social.

Platforma sociale e cila është betuar se do ti japë fund përhapjes së informacionit të rremë, së fundi nisi një luftë ndaj titujve bombastikë të cilët kërkojnë vetëm klikime, duke ndëshkuar ashpër publikuesit që aplikonin këtë praktikë.

Facebook thekson se postimet ku kërkohet ndihmë, këshillë apo rekomandim nuk do të preken. Gjithashtu edhe ato postime ku kërkohet financim për kauza humanitare. /PCWorld Albanian