Facebook do t’i përdorë postimet tuaj publike si rezultate kërkimi (Video)

E publikuar: 22/10/2015 21:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Facebook është gati të sfidojë Google-in dhe Twitter-in si gjigantët e kërkimit të lajmeve. Duke filluar nga sot, Facebook do të shfaqë të gjitha postimet tuaj publike tek rezultatet e kërkimit. Ju do të keni mundësi të shihni nga 2 trilionë postimet që janë bërë deri tani në Facebook. Këtu përfshihen postimet publike nga të gjithë njerëzit dhe faqet, dhe jo vetëm miqtë apo faqet që ju keni pëlqyer.

Në fillim do të shfaqen rezultate nga burime të besueshme lajmesh, pastaj nga miqtë tuaj në rrjetin social, lista nga lidhjet ose citimet më të rëndësishme në lidhje me një temë, dhe pastaj nga të huajt.

Kjo veçori e re do të jetë e ngjashme me funksionin Twitter Search. Kompania do që njerëzit të informohen me lajmet më të fundit direkt nga rrjeti social. Kjo veçori e re mund të inkurajojë shumë njerëz që t’i bëjnë postimet e tyre publike, sidomos ata që pretendojnë se postimet e tyre ia vlen të lexohen nga të gjithë.

Ju mund të kërkoni gjithashtu për një temë të caktuar, dhe të shihni se çfarë kanë thënë të tjerët. Veçoria e re ofrohet aktualisht vetëm për përdoruesit e Facebook në SHBA, por do të përhapet së shpejti në të gjithë botën.