Facebook do të lançojë kriptomonedhën në 2020-ën

E publikuar: 25/05/2019 01:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Facebook ka planifikuar të lançojë kriptomonedhën e saj në fillim të 2020-ës duke lejuar përdoruesit të kryejnë pagesa dixhitale në disa vende të botës.

Monedha, e quajtur GlobalCoin, do të bënte të mundur që 2.4 miliardë përdoruesit aktivë në muaj të Facebook të këmbejnë dollarët për monedha të tjera ndërkombëtare të cilat më pas mund të përdoren për të kryer pagesa dhe transferuar para pa pasur nevojë për një llogari bankare.

Themeluesi i Facebook Mark Zuckerberg muajin e kaluar u takua me guvernatorin e Bankës së Anglisë Mark Carney për të diskutuar këtë plan.

Zuckerberg gjithashtu diskutoi propozimin e quajtur “Projekti Libra” me zyrtarët e Thesarit Amerikan si dhe është në bisedime me disa firma të transfertave të parave përfshirë Western Union për të zhvilluar në metodë të thjeshtë, pak të kushtueshme për njerëzit që duan të transferojnë para.

Një raport vitin e kaluar thoshte se Facebook është duke zhvilluar një kriptomonedhë që do të lejonte përdoruesit e WhatsApp të transferojnë para.

Për ta bërë vlerën e kriptomonedhës stabile, Facebook ka në plan të lidhë vlerën e saj me disa prej monedhave më të forta të botës përfshirë dollarin Amerikan, Euron dhe Jenin Japonez.

Prej kohësh është pritur një lëvizje e Facebook në shërbimet financiare sidomos pas punësimit të ishte presidentit të PayPal David Marcus. Ky i fundit është edhe anëtar bordi i Coinbase, drejton iniciativat e Facebook në blockchain.

Në fillim të muajit Senati Amerikan i dërgoi një letër të hapur Zuckerberg për ta pyetur për mënyrën sesi kriptomonedha do të funksionojë dhe si do të mbrohen konsumatorët.

Në Shkurt, JPMorgan u bë banka e parë Amerikane e cila krijoi kriptomonedhën e saj JPM Coin si një mënyrë për të lehtësuar pagesat dhe transfertat. /PCWorld Albanian