Fabrika “Sharrcem” në arbitrazh për mospërmbushjen e zotimeve në AKP

E publikuar: 19/10/2020 16:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fabrika “Sharrcem” nuk ka përmbushur zotimet e saj për investime në vlerë rreth 9 milionë euro. Për këtë ishte penalizuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe procesi duket se ka përfunduar në Arbitrazh.

Kështu ka thënë ish-kryesues i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Petrit Gashi gjatë raportimit në Komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë.

“Çështja e “Sharrcemit”, nëse nuk kaloj kemi bërë dy auditime të ndërmarrjes, në dy rastet është konstatuar që ndërmarrja nuk i ka plotësuar zotimet. Janë diku 9 milionë euro të zotimeve që nuk janë plotësuar, prandaj vendimi për penalizim të kësaj ndërmarrje është marrë pasi unë jam larguar prej Agjencisë, tash nëse nuk gaboj është në një arbitrazh”, tha Gashi.

Pas interesimit të deputetit Hekuran Murati, Gashi ka komentuar edhe të ardhurat mujore në AKP.

Sipas Gashit, për gjashtë ditë punë në përgatitjen e një mbledhje të bordit dhe mbajtjen e saj, si kryesues i bordit është paguar mbi 3 mijë euro. Ndërsa, çdo anëtar tjetër është paguar me një shumë të përafërt me kryesuesin.

“Ne kemi marrë kompensim, jemi paguar në baza… se çka qysh tek nuk e di. Jemi paguar për një gjashtë ditor të punës tonë. Ishte menduar që mbledhja e bordit dhe përgatitjet për takimin e bordit, por administrata mund t’i qartësoj pak më tepër. Për ditë të kompensimit ka qenë diku mbi 400 euro, duhet të jenë pak më shumë se 400 euro. Personeli Agjencisë së Privatizimit kanë pasur nivelin e pagave vazhdimisht prej fillimit të lartë shumë. E anëtarët e bordit, kanë marrë diku një mesatare të nivelit të menaxhmentit brenda Agjencisë. Duhet të jetë më shumë se 3 mijë euro në rastin tim së paku. Një mbledhje e bordit nënkupton punë dhe përgjegjësi. Edhe prezenca ime sot nënkupton çfarë përgjegjësish kemi marrë ne gjatë procesit”, ka thënë Gashi.

Ish-kryesuesi i bordit të AKP, tha se për t’i ikur mundësisë se kurdisjes së ofertuesve, janë ndryshuar procedurat e shitjes në AKP.

“Ne në fillim kemi shitë asete të tilla, në qendër të Prishtinës. Pastaj ofertuesi i parë është tërhequr. Kjo na ka dhënë një indikacion se duhet të ndërpritet kjo praktikë. Në me një veprim që kemi ndërmarrë me procedurat shitjes kemi vendos që nëse donë ofertuesi i dytë me blerë asetin, e merr me çmimin e të parit. Ka qenë ndryshim i procedurave të shitjes”, tha ai.

Gashi tha më tej se shitje me procedurë të negociuar nuk ka pasur në kohën sa ka kryesuar këtë Bord. Ai po ashtu është përgjigjur se në atë kohë nuk ka pasur afërsi me ndonjë me ndonjë subjekt politik.

Deri më tash në këtë Komision janë intervistuar, Blerim Rexha ish-kryesues, Shkëlzen Lluka ish-drejt, Ali Sadriu ish-ministër./I.Shabani/