“Eurovision”, Elhaida Dani më “e gjallë” se kurrë; 15 minuta për të votuar 26-n

E publikuar: 23/05/2015 23:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Elhaida Dani ka shkëlqyer më shumë se kurrë në natën finale të “Eurovision”-it, të zhvilluar në Vjenë të Austrisë, teksa ka interpretuar në mënyrë të jashtëzakonshme këngën e titulluar “I’m Alive”. Performanca e saj ka qenë tejet pozitive, duke treguar edhe njëherë potencialin e jashtëzakonshëm vokal të saj, ashtu siç bënte pak vite më parë edhe në “The Voice of Italy”.

Interpretimet tashmë kanë përfunduar, ndërkohë që janë vetëm 15 minutat në dispozicion të teleshikuesve anembanë botës ku gjenden shtetas me kombësi europiane, për të votuar për këngën e tyre të preferuar. Sigurisht, një gjë të tillë mund ta bëjnë edhe shqiptarët kudo ndodhen, nga Maqedonia, Kosova, Greqia, Italia, Austria, Zvicra, Belgjika, Holanda, vendet nordike, apo kudo ndodhen të shpërndarë, sigurisht duke votuar për numrin 26 të Elhaida Danit.

Pas kësaj periudhe kohore 15-minutëshe do të nisë edhe shpërndarja e pikëve nga juritë e vetë vendeve pjesëmarrëse, si të atyre që morën pjesë në dy netët gjysmëfinale, e që nuk mundën të kualifikoheshin për në finale, ashtu edhe 27 vendet konkurrente të kësaj mbrëmjeje. Votoni 26, sepse vetëm kështu mund të shpresojmë në një sukses të mundshëm të shkodranes së talentuar, Elhaida Dani.

Shumë shpejt pritet të nisë edhe shpërndarja e pikëve shtet për shtet, sipas metodës tashmë të ditur: 12 pikë për këngën më të preferuar, 10 pikë për vendin e dytë dhe 8 pikë për preferencën e tretë. Për të vijuar më pas me 7 pikë e me radhë deri në 1 pikë, respektivisht për vendet 4 deri në 10.

/ Top Channel