Euroleague, CSKA dhe Fenerbahce një hap larg “Final Four”

E publikuar: 17/04/2015 09:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

CSKA Moscow është vetëm një fitore larg finales katërshe për të 12 herë në historinë e Euroleague pasi mundi grekët e Panathinaikos në ndeshjen e dytë play off.

Ekipi nga Athina bëri një start bindës me dyshen Vasilis Charalampopoulos e Vlantimir Giankovits të papërmbajtshëm në parket por Andrei Kirilenko dhe skuadra ruse u imponuan me një rzultat të përkohshëm 15-0. CSKA-ja tregoi muskujt edhe gjatë pjesës së dytë duke kryesuar 72-54 kur kishin mbetur edhe 10 minuta nga fundi. Perioda e fundit shërbeu thjesht sa për statistika pasi ekipi rus e mbylli takimin në shifrat 100-80 duke kryesuar bindshëm 2-0. Në takimin tjetër, Fenerbahce Ulker priti kampionët në fuqi të Maccabi Electra Tel Aviv.

Turqit e nisën menjëherë takimin në avantazh me Andreë Goudelock të papërmbajtshëm. Nga ana tjetër, Maccabi tentoi ta ngushtonte diferencën në fundin e pjesës së parë por Fenerbahce zhvilloi një ndeshje perfekte në mbrojtje duke ruajtur diferencën.

Ndeshja u mbyll 82-67 në favor të ekipit nga Stambolli që hedh një hap të madh drejt final four pasi i fikson shifrat e përballjeve të përgjithshme në 2-0. Në ndeshjen e tretë do të jetë Maccabi skuadra pritëse dhe shpresa më e madhe e skuadrës izraelite është te mbështetja e tifozëve në Tel Aviv për të shpresuar në një rezultat pozitiv që do t’i mbante në lojë.