EULEX shkon në qershor – do të zëvendësohet nga një komision monitorues

E publikuar: 09/05/2018 16:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtësia kosovare edhe pas largimit të EULEX do të vazhdojë të monitorohet. Kanë mbetur edhe një muaj nga largimi i këtij misioni nga Kosova, por pas tyre, do të ketë një komision që vetëm do të kryej funksion monitorues, por jo atë ekzekutiv, siç ka bërë EULEX deri tani.
Misioni më i madh i Bashkimit Europian për Sundim të Ligjit, ishte thirrur 10 vjet më parë nga institucionet e Kosovës për të forcuar ligjin dhe rendin. Por, pavarësisht buxhetit dhe stafit të madh, ky mision është pritur të bëjë më shumë, në shtetin që vazhdimisht është kritikuar edhe në raporte ndërkombëtare për korrupsion e krim të organizuar.

Kanë mbetur edhe një muaj nga largimi i Misionit të EULEX’it nga Kosova. Drejtësia kosovare, pas largimit pritej që të merrte në dorë të gjitha kompetencat, por nuk do të ndodhë ashtu.

Gazeta Express ka biseduar me Ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili ka treguar se kush do të vijë pas EULEX’it në Kosovë. Cilat do të jetë detyrat e tyre dhe çka do të ndodhë me rastet gjyqësore që EULEX tash e sa vite i kishte në duar?

Tahiri ka thënë se pas përfundimit të mandatit të EULEX’it, i cili do të ndodhë me 14 qershor, do të ketë monitorim nga ndërkombëtarët. Kësisoj, do të krijohet një komision këshillues në gjyqësor, prokurori dhe në shërbim korrektues.

“Do të ketë monitorim nga një komision këshillëdhënës në gjyqësor, prokurori dhe në shërbim korrektues”, tha Tahiri për Express.

Ky lloj monitorimi i sistemit të drejtësisë do të jetë i pranishëm në Kosovë deri në qershor të 2020’s, dhe do të jetë i pranishëm në të gjitha kompetencat ekzekutive deri më tani të EULEX’it.

Ministri i Drejtësisë madje tha se ky komision do të ketë edhe emër.

“EULEX përfundon mandatin më 14 qershor dhe tani jemi duke e negociuar edhe çështjen e emrit, mirëpo ende nuk është e sigurt kjo për ndërrim të emrit, por me gjasë nuk do të vazhdojë me emër të njëjtë edhe ky komision këshillëdhënës”, tha ministri Tahiri për Express.

Komisioni, tregoi ministri, do të ketë qasje në dokumente dhe në monitorimin e proceseve gjyqësore.

Këto janë rastet gjyqësore që deri tani EULEX i pati në dorë dhe iu dha fund, por raste të shumta ka që mbetën pa u zgjidhur.

Rastet më të mëdha gjyqësore në vend si ai “Drenica”, “Kleçka”, “Sekiraqa”,“MTPT”, “Apex”, “Toka”, “Medicus”, procesi i Oliver Ivanoviqit dhe Naser Kelmendi, janë vetëm disa nga rastet gjyqësore të cilat ishin në shqyrtim të prokurorëve dhe gjyqtarëve nga radhët e EULEX-it.

Rasti “Drenica” përfundoi në 2017’n, pas vendimit të Gjykatës Supreme.

Grupi “Drenica”, i përbërë prej Sylejman Selimit, Sami Lushtakut e Jahir Demakut, u akuzuan për krime të luftës që më vonë u shpallën të pafajshëm nga Supremja.

Gjykata nuk kishte gjetur prova të mjaftueshme që e provojnë përtej dyshimit të bazuar përgjegjësinë komanduese të Sami Lushatakut dhe Sylejman Selimit mbi qendrën e ndalimit në Likoc. Kurse, Jahir Demakut iu vërtetua dënimi prej 5 vjetëve.

Në rastin “Kleçka” ishin të akuzuar Fatmir Limaj, Naser Krasniqi, Naser Shala, Nexhmi Krasniqi, Arben Krasniqi, Sabit Shala, Refki Mazreku, Behlul Limaj, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj. Ata u akuzun nga Prokuroria Speciale e Kosovës për krime lufte të kryera në fshatin Kleçkë.

Për të dhjetit, Gjykata Supreme më 24 maj të 2017’ës, kishte refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë e ushtruar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, kështu duke i shfajësuar të gjithë të akuzuarit.

Enver Sekiraqa, dikur i akuzuar nga Prokuroria e EULEX’it për vepër penale “nxitje në vrasje”, gjendjet ende në paraburgim që nga viti 2012.

Prokuroria e EULEX e akuzon Sekiraqen për nxitje në vrasje, por Apeli ka vendosur që edhe pas shumë seancave të mbajtura gjyqësore, rastin ta kthejë në rigjykim.

Në vitin 2014, rastet MTPT 1 dhe MTPT 2 u bashkuan me vendim të gjyqtares së atëhershme, kështu duke ngritur një aktakuzë e cila u quajt aktakuzë e konsoliduar. Në nëntor të vitit të kaluar, të akuzuarit për korrupsion dhe krim të organizuar, Fatmir Limaj, Nexhat Krasniqi, Endrit Shala, Shpëtim Telaku dhe Florim Zuka, u shpallën të pafajshëm nga trupi gjykues i kryesuar nga EULEX.

Nga viti 2015 filluan të mbaheshin seancat gjyqësore për këtë rast. Për këto dy vite janë mbajtur shumë sosh dhe me shumë dëshmitarë. Në mesin e dëshmitarëve ishin, Adem Grabovci, Bajrush Xhemajli, Adem Salihaj, Hasan Preteni dhe shumë të tjerë.

Sivjet, i erdhi fundi edhe rastit të njohur si “Apex”. Ky ishte një prej rasteve më të mëdha të krimit të organizuar, por i njëjti tashmë është mbyllur pa proces gjyqësor dhe krejt kjo për faj të një prokurori të EULEX-it i cili kishte ngritur aktakuzë pas afatit ligjor.

Të akuzuarit në rastin Apex tashmë janë të lirë. Aktakuza kundër tyre është hedhur poshtë përfundimisht nga Gjykata e Apelit në mars të këtij viti.

11 të dyshuarit në këtë rast ishin vëllezërit Arben e Astrit Krasniqi, Armend Neziri, Mujë Berisha, Gani Zeqiri, Kushtrim Hakaj, Arsim Mulliqi, Luan Halili, Agron Hoxha, Ilir Morina dhe Avni Morina për krim të organizuar, detyrim, shtrëngim dhe posedimi të paligjshëm të armëve dhe narkotikëve.

Në rastin e njohur si “Toka”, Azem Syla dhe 50 të tjerë akuzohen për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.

Ky rast ka mbetur pa u zgjidhur nga ana e misionit ndërkombëtar, sepse rasti tani ka kaluar tek vendorët.

Rasti “Medicus”, klinika ku dyshohet se u kryen transplante ilegale të veshkave, ka mbetur pa u zgjidhur, edhe pse ky rast po gjykohet që nga viti 2008.

Të akuzuar për këtë rast janë urologu Lutfi Dervishi, djali i tij Arban Dervishi dhe anesteziologu Sokol Hajdini.

Oliver Ivanoviq, u dënua për krime lufte ndaj civilëve me 9 vite burg. Por, ky rast më vonë u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Ish lider i Iniciativës Qytetare Serbe SDP, Oliver Ivanoviq, u akuzua për krime lufte në Kosovë, por, ai u vra më 16 janar të këtij viti nga persona ende të pa identifikuar.

Politikani serb akuzohej për vrasjen e shqiptarëve në prill të vitit 1999 në jug të Mitrovicës, si dhe për vrasje të shqiptarëve në shkurt të vitit 2000 në veri të këtij qyteti.

Biznesmeni Naser Kelmendi është dënuar më gjashtë vjet burgim për shpërndarje të drogës të llojit heroinë. Dënimin ai e mori në shkurt të këtij viti nga Gjykata Themelore e Prishtinës, me gjyqtarë nga EULEX./M.K/GazetaExpress/