Ethet e ‘play-offit’ në Superligë: Të mërkurën dhe të enjten zhvillohen ndeshjet e para

E publikuar: 24/04/2018 20:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të mërkurën me ballafaqimin në mes Sigal Prishtinës dhe Golden Eagle Yllit do të nisë faza e play-offit në IP Superligën e Kosovës në basketboll.

Kjo ndeshje do të zhvillohet me fillim nga ora 19:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet.

Ndërkaq, të enjten do të luhet gjysmëfinalja tjetër ajo në mes Bashkimit dhe Rahovecit me fillim nga ora 19:30 në palestrën e sportit “Sezai Surroi” në Prizren.

Gjysmëfinalet e ‘play-offit’ zhvillohen sipas formulës 1 vs 4, 2 vs 3 (vendi i parë kundër vendit të katërt dhe vendi i dytë ndaj të tretit).

Plasmanin në finale e siguron ekipi që i pari arrin tri fitore, thuhet në faqen zyrtare të FBK-së.

Gjysmëfinalet zhvillohen sipas formatit 2-2-1 dhe epërsinë e terrenit vendas e ka ekipi më lartë i plasuar në edicionin e rregullt.

Në finale të ‘play-offit’ takohen ekipet fituese të gjysmëfinaleve. Kampion i Superligës shpallet ekipi që i pari arrin tri fitore.

Finalja e ‘play-offit’ zhvillohet sipas formatit vajtje – ardhje. Përparësinë e terrenit vendas e ka skuadra që ka qenë më mirë e ranguar në edicionin e rregullt dhe luan si vendas në ndeshjet 1 dhe 3 dhe ndeshjen eventuale 5.