Erion Veliaj në ICT Awards, Piramida e Tiranës do të bëhet qendra më e madhe e IT në rajon

E publikuar: 03/02/2018 17:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ditën e Premte më datë 2 Shkurt shtëpia botuese ICTSmedia hapi për vitin e gjashtë me radhë konkursin mbarëkombëtar në fushën e teknologjisë së informacionit në kërkim të shqiptarëve të suksesshëm në ICT.

Në këtë aktivitet hapës nderuan me pjesëmarrjen e tyre Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z Erion Veliaj, Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Luka, profesionistë të IT-së, novatorë dhe të rinj të komunitetit të teknologjisë nga Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova.

Një nga aktivitetet më të bukura në Tiranë që tregon sesa serioz jemi. Shumë pak veta kanë durim që të bëjnë këtë punë çdo vit dhe do një kurajo dhe energji të brendshme,” tha kryetari i bashkisë Veliaj gjatë fjalës së tij të rastit për ICT Awards.

Gjatë mbrëmjes ai zbuloi një surprizë për komunitetin e ICT Awards kur tha se bashkia kishte marrë vendimin për të kthyer Piramidën e Tiranës në qendrën më të madhe të IT-së në rajon.

“Ky qytet po funksionon pak më mirë sot megjithatë unë prapë them nuk mjafton. Kjo është një nga arsyet pse ne kemi marrë një vendim shumë të rëndësishëm për ta kthyer të gjithë Piramidën e Tiranës në qendrën më të madhe të IT në rajon. Ne jemi duke punuar me një organizatë që quhet Tumo. Tumo është një organizatë me origjinë nga Amerika, një grup amerikano-armen e filloi për herë të parë në Jerevanit.”

ICT Awards është një konkurs kombëtar, unik për nga karakteri dhe përkushtimi, i cili ka për qëllim identifikimin, shpërblimin dhe promovimin e profesionistëve të shquar, udhëheqësve të suksesshëm të biznesit, novatorëve e të rinjve entuziastë të ICT-së.

Fundin e aktivitetit e zuri një panel diskutimi me disa prej historive të suksesit në ICT Awards ndër vite.

Të pranishëm në këtë panel ishin Mërgim Cahani, themelues i motorit më të madh të kërkimit shqiptar Gjirafa.com, Albi Zhulali, themelues i platformës së menaxhimit të hoteleve Softmogul, Genti Selenica, themelues i aplikacionit “Food Delivery” Baboon dhe themeluesja e Girls Coding Kosova Blerta Thaçi.

Veliaj zbuloi edhe detajet e projektit fantastik që do të bashkojë të gjithë brezat. “Do të punojmë me shumë cilësi që të jetë jo vetëm një qendër fantastike kreative, e kulturës dixhitale, por sigurisht edhe një objekt fantastik për t’u soditur.”

Do të jetë në fakt një qendër gjigante multi-funksionale kryesisht me fokus kulturën dixhitale. Do të kemi hapësirë për të bërë inkubatorë, hapësira është jashtëzakonisht e madhe.”

Ai shpalli të hapur konkursin në gjashtë kategori: ICT Inovacioni i Vitit, ICT Mobiliteti i Vitit, ICT Diploma e Vitit, ICT Ylli në Ngritje, Femra në ICT dhe ICT Shërbimi Publik i Vitit.

Ky aktivitet i paraprin një turi takimesh disa javore që do të organizohen në qendra inovative, universitete, inkubatorë me profesionistë dhe entuziastë të teknologjisë. /PCWorld Albanian