Erdogan: Nuk do ta pranoja Çmimin Nobel, në rast se do të më jepej një ditë

E publikuar: 10/12/2019 18:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se ai nuk do ta pranonte Çmimin Nobel për Paqe nëse një ditë do t’i ndahej atij, raporton Anadolu Agency.

Komentet e presidentit Erdogan erdhën pas ndarjes së Çmimit Nobel për Letërsi për Peter Handke, shkrimtar austriak, i cili njihet si mbështetës i ish-udhëheqësit serb Sllobodan Millosheviq, i gjykuar për krime lufte.

Duke folur në një program të mbajtur me rastin e Ditës së të Drejtave të Njeriut në Ankara, Erdogan tha se Turqia gjithashtu nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e Nobelit.

“Shpërblimi i një vrasësi do të thotë bashkëveprim me zullumin”, deklaroi Erdogan.

“Nobeli është konsumuar. Nobeli është në një pozitë që vepron politikisht, në mënyrë ideologjike. Nobeli nuk ka asnjë vlerë për mua”, shtoi ai.

Handke njihet si një admirues i madh i Millosheviqit, i cili vdiq në vitin 2006 në gjykatën ndërkombëtare në Hagë teksa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid.

“Ngrihuni në këmbë nëse i mbështesni serbët”, kishte shkruar Handke gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999.

Ai po ashtu është mohues e gjenocidit serb gjatë luftës së Bosnjës.
Handke ka pretenduar se boshnjakët myslimanë në Sarajevë kishin vrarë veten e tyre, duke shtuar se ai kurrë nuk beson se serbët kanë kryer gjenocid në Srebrenicë.

Handke gjithashtu kishte vizituar Millosheviqin në burg dhe ishte përpjekur të dëshmojë në favor të tij.

“Unë jam këtu për Jugosllavinë, për Serbinë, për Sllobodan Millosheviqin”, ishte shprehur Handke në një eulogji të vitit 2006 për Millosheviqin.

Me fitimin e Çmimit Nobel, Handke do të marrë gjithashtu 9 milionë krona suedeze (952.000 dollarë), si dhe një medalje dhe një diplomë.

“Në Evropë ka një krizë serioze të lidershipit”

Gjatë pjesëmarrjes në program, Erdogan foli edhe për lidershipin dhe liderë të ndryshëm.

Ai tha se në Evropë ka krizë lidershipi dhe se aktualisht nuk mund të marrë shembull ndonjë lider në këtë pjesë të botës.

“Kur shohim Evropën, aktualisht aty ka një krizë serioze të lidershipit, një boshllëk lidershipi. Unë nuk gjej guximin të them ‘Ky apo ai lider është shembull’ “, tha presidenti turk.

Ai po ashtu tha se Turqia do të largohet nga Siria kur të largohen edhe shtetet e huaja, por jo pa i eliminuar “të gjithë terroristët në rajon”.

Në lidhje me Libinë, Erdogan tha Turqia mund të dërgojë “sasi të mjaftueshme” të trupave në Libi nëse Tripoli e kërkon një gjë të tillë.