Erdogan i bie pishman: Kërkon vizat dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian

E publikuar: 10/05/2016 09:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pak ditë pasi i tha Bashkimit Evropian “ne rrugës sonë, ju rrugës suaj”, duke refuzuar t’i ndryshojë ligjet për vizat, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, duket të ketë ndërruar mendje.

Marrëveshja e mundshme për liberalizimin e vizave për turqit që duan të vizitojnë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do ta përshpejtonte procesin e Turqisë për anëtarësim në BE, dhe anëtarësimi i plotë i vendit në BE mbetet objektiv strategjik i Ankarasë, ka deklaruar Erdogan, duke u zotuar se Turqia është e vendosur të vazhdojë bashkëpunimin me bllokun 28-anëtarësh, raporton Hürriyet.

“Paraqitja e një qëndrimi të vendosur dhe parimor përballë krizës së emigracionit që ka burimin në Siri, Irak dhe zonat e tjera të konfliktit, është shumë e rëndësishme. Në emër të komunitetit ndërkombëtar, Turqia ka marrë përgjegjësinë përballë këtyre sfidave dhe ka përmbushur detyrat e saj humanitare që nga fillimi”, ka thënë Erdogan në një mesazh me shkrim të publikuar më 9 maj, për nder të Ditës së Evropës, transmeton Gazeta Express.

“Ne besojmë se hyrja në BE, që është objektiv strategjik i Turqisë, do të ndihmojë në adresimin e këtyre sfidave dhe do të jetë po ashtu një burim stabiliteti dhe frymëzimi për rajonin”, ka shtuar ai.

“Unë shpresoj se liberalizimi i vizave, për të cilin jemi pajtuar, do të ndihmojë në çlodhjen e Turqisë nga pritja në derën e BE’së për 50 vjet, dhe në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Turqisë”, ka thënë Erdogan.