Enrique: Finalja e Championist një ndeshje spektakolare

E publikuar: 05/06/2015 23:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pak kush beson se Barcelona do ta humbasë finalen e Berlinit dhe mes atyre që besojnë verbërisht te forca e blaugranave është dhe Luis Enrique, që e cilëson skuadrën e tij si një brez unik që vjen vetëm njëherë në historinë e futbollit. Pikërisht te forca e yjeve të tij e bazon konferencën për shtyp të kësaj pragfinaleje trajneri i blaugranave: “Kjo është një gjeneratë e jashtëzakonshme për Barcelonën. Të gjithë shpresojmë që të jetë një finale spektakolare dhe besoj se e tillë do të jetë sepse ne kemi lojtarin më të mirë në botë, Lionel Messi dhe Neymar e Suarez që kanë bërë një sezon të shkëlqyer. Megjithatë ne jemi mbi të gjitha një skuadër, sepse të fitosh dy trofe, sic kemi bërë deri tani duhet të kesh në rregull edhe mesfushën, mbrojtjen dhe portën”.

Në sezonin e tij të parë te Barca, Enrique mund të fitojë menjëherë tripletën, por për trajnerin spanjoll kjo nuk është ndeshja më e rëndësishme e karrierës së tij: “Është një ndeshje shumë e rëndësishme, por jo më e rëndësishmja. Unë madje e shikoj si ndeshjen nga ku mund të fillojë dicka e jashtëzakonshme. Kjo nuk do të thote se jemi euforik, sepse euforik janë tifozët ne përkundrazi e kemi marrë këtë sfidë shumë seriozisht sepse Juventus është një skuadër shumë e mirë, që gjithashtu ka fituar 2 trofe ashtu si dhe ne. Një ekip që ka nga një zgjidhje për cdo aspekt të lojës”. Enrique foli gjithashtu dhe për formën e Iniestës duke theksuar se do të jetë në gjendje perfekte për ndeshjen e kësaj të Shtune në mbrëmje./ss/