Ende nuk dihet për fatin e Sead Alushit

E publikuar: 12/04/2015 18:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, që nga mëngjesi i është bashkangjitur operacionit për kërkimin e djaloshit Sead Alushi, nga Suhadolli i Mitrovicës, që dyshohet të ketë rënë në lumin Ibër, të premten rreth orës 15:00.

Me gjithë angazhimin e madh, madje me numër të shtuar pjesëtarësh të FSK-së, KFOR-it, Policisë së Kosovës e zjarrfikësve, deri tash asgjë nuk ka të re sa i përket gjetjes së djaloshit 16 vjeçar.

Në qendrën e improvizuar në Lisicë, prej nga nisin operacionet, Bahtiri është takuar sërish me kolonelin Fischer Hansjorg, komandant i trupave të KFOR-it për veriun e Kosovës.

Bahtiri dhe Hansjorg kanë thënë se niveli ende i lartë i ujit në lum po i vështirëson aktivitetet.

Po ashtu, Bahtiri ka takuar edhe kryetarin e komunës të Mitrovicës veriore, Goran Rakiq, me ç’rast kanë këmbyer informacionet që i kanë lidhur me rastin.

Që të dy këta edhe njëherë i kanë ofruar mbështetje familjes Alushi, duke e garantuar atë se janë duke bërë dhe do të bëjnë gjithçka që është e mundur për të gjetur Seadin dhe për të zbardhur rastin.