Emini: Krijimi i qeverisë Hoti ka shumë gjasë të sjellë destabilizim

E publikuar: 03/05/2020 08:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Krijimi i qeverisë Hoti ka shumë gjasë që të sjellë edhe destabilizim të vendit, ka alarmuar Donika Emini.

E ka thënë këtë duke marrë parasysh protestat në kohë pandemie, të paralajmëruara veçmas nga aktivistë të LVV-së, parti kjo që ka dalë e para në zgjedhje, por pa të cilën synohet të ndërtohet qeveria e re, shkruan KOHA.

Emini është drejtoreshë ekzekutive e platformës CiviKos, një bashkim vullnetar i organizatave të shoqërisë civile, të përkushtuara për zhvillimin e një mjedisi të favorshëm për bashkëpunim midis shoqërisë civile dhe autoriteteve publike.

Në një intervistë të shkruar dhënë “Kohës Ditore”, ajo ka komentuar mbi zhvillimet politike në vend dhe skenarët që i ka Kosova para vetes. Mes tjerash ka thënë se këto zhvillime kanë shtyrë Kosovën drejt një krize të paprecedentë politike, institucionale dhe kushtetuese.

Sipas saj, qeveria Hoti, nëse do të krijohen kushtet për ta formuar, do të njihet si qeveri e formuar në rrethana të jashtëzakonshme në të cilat kapja e institucioneve – në këtë rast të Kuvendit – ka shtrembëruar rezultatin e zgjedhjeve më demokratike që ka mbajtur Kosova.