Emetime të larta toksike

E publikuar: 15/12/2016 22:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Modeli më i shitur i markës prestigjoze të automjeteve “Audi” rezulton me emetime të larta toksike nga testet e kryera nga ekspertët e Komisionit Europian, çka shton dyshimet për shkelje në atë që njihet si “njësia e luksit” të “Volkswagen”.

Të dhënat e testeve laboratorike kërcënojnë ta tërheqin kontribuesin më të madh të grupit në skandalin që ka përfshirë kompaninë që nga koha kur pranoi se kishte manipuluar kontrollet amerikane të emetimeve me software që maskonin oksidin e nitrogjenit.

Testet e kryera nga qendra e përbashket kërkimore e KE-së kanë treguar se gjenerata e re A3 emeton 163 milligramë oksid nitrogjeni për kilometër, që do të thotë gati dyfishi i normës së lejuar prej 80 mg.

Një tjetër test tregoi se A3-shi emetonte 140 miligramë kur temperatura e motorit shënonte 10 gradë Celsius, por emetimi ishte nën 80 mg kur makina ndizej me motor të ftohur.

Diferencën mes një ndezjeje të ftohtë dhe asaj të nxehtë e gjejmë të vështirë për t’u shpjeguar, tha për “Reuters” Bas Eikhout, anëtar i komisionit të Parlamentit Europian që po heton skandalin e “Wolksvagen”.

“Audi” këmbëngul se emetimet e A3-shit, që rreshtohet në krye të shitjeve të sivjetshme globale të kompanisë, duke lënë pas modelet A4 dhe A6, përputhen plotësisht me limitet ligjore.

Sipas ekspertëve, softueri i instaluar makinave me transmision automatik i lejon ato të reagojnë ndryshe gjatë testimit dhe modifikon performancën e mjetit në mënyrë që të emetojë më pak CO2 dhe okside nitrike.

/ Tch/